E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Antimafia”, Berisha: Përshtatje me vendet perëndimore



Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje kalimin shumë shpejt për miratim në Kuvend të atij që njihet si ligji antimafia dhe që do të përshtatet më atë të vendeve perëndimore. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat Berisha e paraqiti atë si ligj të standardeve më të mira evropiane dhe se dëshmon vullnetin e mazhorancës për të luftuar pa asnjë kompromis krimin e organizuar. Për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me Italinë në përpjekjet kundër krimit, ligji është përshtatur me praktikat që funksionojnë në këtë drejtim në shtetin fqinj. Kryeministri Berisha risolli edhe një herë në vëmendje vizitën pak ditë më parë të ministrit të Brendshëm italian, Maroni, dhe vlerësimin që ai shprehu për efiçencën e organeve shqiptare të zbatimit të ligjit. Krahas garancive që ofron ligji për sigurinë e jetës së qytetarëve dhe stabilitetin e vendit, Kryeministri e nënvizoi atë edhe për një fakt, ndikimin që ka miratimi i tij në procesin e liberalizimit të vizave. Ky ligj i jep mundësi çmontimit të pasurisë së krimit, të vendosur nga mafia, bllokimit të saj, çka do të thotë “de facto” bllokim i mundësisë së funksionimit të degëve të klanit, të pagoditura për vepra penale nga ligji. “Unë e kuptoj diskutimin që ngjall, por standardi për këtë ligj është marrë nga vende me traditë ndër më të konsoliduarat demokratike, ndaj ai është shqyrtuar me misionin e Bashkimit Evropian, për të ndihmuar organet e drejtësisë shqiptare në ligjbërjen e tyre dhe ka pasur mbështetjen e plotë të këtij misioni. Nuk ka diskutim se ligjet antimafia në gjithë botën ngjallin diskutimet e veta. Kjo është normale, por absolutisht, pa ligje të rrepta mafia nuk mund të luftohet”, - deklaroi z. Berisha. “Ne, - shtoi ai, - jemi shumë të detyruar të përshtatim ligjet tona me Italinë në këtë aspekt, sepse pikërisht këtë çështje ngriti edhe ministri i Brendshëm italian. Problemi, - tha Berisha, - është që të mos krijohet asnjë hapësirë për transferimin e pasurive të krimit, sepse akti i parë që ata do të bënin për t’i shpëtuar bllokimit, do të ishte transferimi i këtyre pasurive në një vend tjetër, veçanërisht në vende të cilat nuk mund të veprojë ligji, ashtu siç vepron ligji italian”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›