Jiabao, mesazh Berishës: Kinë-Shqipëri, marrëdhënie të sigurta
Kryeministri Sali Berisha mori dje një telegram urimi nga Kryeministri i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, Wen Jiabao, me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në telegramin e tij, Kryeministri kinez Jiabao shprehet: “Gjatë 60 viteve të marrëdhënieve diplomatike, marrëdhëniet kino-shqiptare kanë njohur përparime të pandërprera. Dialogët politikë mes dy vendeve, në nivele të larta janë shtuar, bashkëpunimet me leverdi reciproke në fushat ekonomike-tregtare, kulturore, arsimore, bujqësore etj. kanë arritur rezultate të frytshme, për çështjet ndërkombëtare e rajonale, të dyja palët kanë bashkëpunuar mirë”. Sipas tij, qeveria kineze i kushton një rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë. “Ajo, - shkruan Jiabao, - respekton rrugën e zhvillimit të zgjedhur nga populli shqiptar, sipas kushteve të vendit dhe është e gatshme që me përpjekje të përbashkëta me palën shqiptare të forcojë shkëmbime dhe bashkëpunime, të nxisë mirëkuptimin dhe miqësinë mbi bazën e frymës së “Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë mbi Thellimin e Marrëdhënieve Miqësore Tradicionale”, me qëllime që marrëdhëniet miqësore te bashkëpunimeve midis Kinës dhe Shqipërisë të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme, të sigurt dhe të thellë”.