The Guardian: Shqipëria, transformim mbresëlënës
Në një kohë kur Bashkimi Evropian i ka dhënë “OK” aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit, mediat britanike janë përqendruar në pasqyrimin e hollësishëm të progresit të vendit tonë, që konsiderohet më tepër se mbresëlënës, sidomos po të krahasohet me vendet e tjera të rajonit. Në artikullin e gazetës prestigjioze britanike “The Guardian”, të titulluar “Welcome to Albania”, - Mirëserdhët në Shqipëri, gazetari Peter Preston thotë në mënyrë figurative se energjia dhe progresi në këtë vend të vogël janë aq të mëdha, saqë të lënë pa frymë. “Ekonomia e këtij vendi, - vazhdon më tej Preston, - ka pësuar rritje, ndërkohë që e gjithë bota ka pësuar hapa mbrapa si pasojë e krizës ekonomike. Sistemi politik është tronditur si pasojë e socialistëve që pavarësisht se humbën zgjedhjet, vazhdojnë të bojkotojnë Parlamentin, duke mbushur rrugët e Tiranës me protesta. Megjithatë, Bashkimi Evropian i dha dritën jeshile nisjes së negociatave për statusin e kandidatit, duke i çelur dyert shpërblimit për punën e kryer deri më tani”. Më tej, gazetari i “The Guardian” shkruan se kur viziton Tiranën, shikon ndryshime të mëdha: një aeroport të ri ndërkombëtar, një autostradë të re, rrugë të rregulluara, ndërtesa të larta, një shembull i vogël, por që tregon se Shqipëria ka ditur t’i transformojë 17 vitet e lirisë dhe demokracisë në diçka të jashtëzakonshme. “Me aftësinë për t’u rimëkëmbur, mirësinë dhe sensin e humorit Shqipëria mund të jetë shteti i 28-të ose i 29-të i bllokut dhe për këtë arsye e shumë të tjera, të gjithë ne kemi arsye për të festuar, - shprehet “The Guardian”, - sepse ndërsa vendet e tjera të rajonit, Kroacia, Sllovenia, Bosnja, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi kanë një sërë problemesh serioze, Shqipëria është nga të vetmet që po ofron qëndrueshmëri dhe progres”.