E Diel, 1 Nëntor 2026

Rënia e Murit, më 8 dhjetor PD organizon mitingun më madhështor



Data 8 dhjetor simbolizon fillimin e lëvizjes studentore, por që i parapriu rënies së komunizmit në Shqipëri, ndaj për demokratët e mbarë Shqipërisë kjo datë do të shndërrohet në festën më madhështore që historia e pluralizmit ka njohur në 19 vite të rënies së murit të komunizmit në vendin tonë. Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje se më 8 dhjetor, datë e cila përkujton lëvizjen studentore të Shqipëri, do të jetë një festë e madhe si data që shënoi rënien e Murit të Berlinit në vendin tonë. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat, z. Berisha vuri në dukje se sikundër vendet e tjera, edhe Shqipëria do t’i rezervojë një festë veçantë 19-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, i cili do të përkujtohet në 8 dhjetor, që simbolizon njëkohësisht edhe fillimin e lëvizjes studentore. Në pjesën jozyrtare të mbledhjes, Kryeministri Sali Berisha foli për nisjen e përgatitjeve për festimin madhështor, teksa kërkoi nga secili prej deputetëve që të mobilizojnë me autobusë dhe furgonë qytetarët nga 12 qarqet e vendit për grumbullimin në Tiranë. Pa përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë se kjo është një kundërpërgjigje ndaj protestave të opozitës së majtë, Berisha informoi deputetët e PD-së se prej 4 muajsh kryesocialisti Edi Rama po shpif, trillon dhe akuzon pa fakte dhe argumente deri dhe në kërcënime se do të rrëzojë shtetin ligjor me dhunë. Sipas Berishës, kjo situatë duhet të marrë fund, pasi më 28 qershor Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira dhe demokratike dhe PS-ja bashkë me Edi Ramën duhet ta shohë konkretisht mbështetjen që PD-ja gëzon në popull, pikërisht me datën 8 dhjetor, duke mbushur sheshin, si një festë ndaj rrëzimit të diktaturës së kuqe. Burimet brenda grupit të PD-së bëjnë të ditur më tej se z. Berisha akuzoi kryetarin socialist për afera korruptive, duke mos përjashtuar një tjetër nismë të PD-së, bashkëpunimin me mediat qendrore dhe ato lokale për zbardhjen e të gjitha aferave korruptive dhe mafioze të Edi Ramës. Por kësaj do t’i paraprijë axhenda tjetër që, siç tha Berisha para mediave, është festë. “Këtë vit, Evropa dhe bota festoi 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Shqipëria nuk e kishte 20-vjetor, por 19-vjetor, sepse tek ne rrëzimi i Murit të Berlinit ndodhi një vit më vonë, për arsye se klika në pushtet ishte e tipit më të egër, më barbare, më mizore. Në rast se rikthehemi pas, tek vitet ’90, kur “Murin e Berlinit” në Tiranë e rrëzuan mijëra e mijëra djem e vajza të rinj që u futën në ambasada, vërehet se e vërteta është që nomenklatura e atëhershme ia doli ta rivendoste atë”, - deklaroi z. Berisha. “Në memorien e kombit, - shtoi ai, - mbetet i paharruar mitingu i organizuar për të dënuar heronjtë e vërtetë të asaj lëvizjeje liberatore”. Por, sipas Berishës, kjo ishte e përkohshme, sepse murin do ta fshihnin nga faqja e dheut studentët e Universitetit të Tiranës në dhjetor të vitit ’90, në 8 dhjetor, të cilët me demonstratat e tyre të fuqishme do të sillnin shembjen përfundimtare të Murit të Berlinit dhe do të hidhnin në koshin e plehrave të historisë, përmes një procesi demokratik, udhëheqjen staliniste të asaj kohe. “Mund të tingëllojë si joreale përpjekja për rikthimin e “Murit të Berlinit”, por faktet i kthyen ato përpjekje dhe vetëm ato muaj, në kufijtë e Shqipërisë, janë vrarë me dhjetëra e qindra të rinj për fajin e vetëm se kërkonin të dilnin në botën e lirë. Kështu që 8 dhjetori, do të jetë festa e shembjes së “Murit të Berlinit”, në Tiranë. Ajo do të jetë një festë e madhe, një festë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria. Do të jetë një festë për Evropën, për aspiratën tonë evropiane, e cila mori në 16 nëntor të këtij viti thirrjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri vuri në dukje: “Kjo është festa e parë që i gjen shqiptarët dhe Shqipërinë me idealin euroatlantik të realizuar. Pasi shembëm “Murin e Berlinit”, historia na dha mundësi që të shndërrojmë në realitet këtë ëndërr të madhe. Ky 8 dhjetor, idealin evropian, idealin euroatlantik, e gjen më të fuqishëm se kurrë në Shqipëri, ndaj do të jetë një festë e madhe, një festë e cila synon jo vetëm nderimin për atë që është bërë dhe për atë që është arritur, por më shumë nxisim horizontin e ri që duhet të kapim deri në 28 qershor të vitit 2013, në të cilin shqiptarët, me sa duket, do të votojnë edhe një herë për këtë mazhorancë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›