Vizat, Berisha: Përpjekjet për bllokim përfunduan në Lanë
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi protestën treditore të opozitës si një përpjekje të dështuar për të bllokuar liberalizimin e vizave. Ky ishte komenti i vetëm i shefit të mazhorancës për protestën gjatë fjalës së mbajtur përpara grupit parlamentar demokrat. “Të gjitha përpjekjet për ta bllokuar këtë proces përfunduan në lumin Lanë, i mori Lana. Procesi po ecën në mënyrë të shkëlqyer”, - tha Berisha. Ai vuri në dukje se heqja e vizave përbën një arritje shekullore. “Ne duhet të ndihemi krenarë për reformat që ndërmorëm, për të bërë të mundur këtë proces; duhet të jemi krenar sepse Shqipërinë, nga një protektorat krimi dhe droge të Aldo Bareve dhe të bashkëpunëtorëve të Aldo Bares në pushtet etj. e bëmë një vend të besueshëm për të gjitha vendet anëtare, por në radhë të parë për të dy vendet tona fqinjë e mike, Italinë dhe Greqinë. Unë e falënderova edhe zëvendësministrin grek që vizitoi vendin tonë, për mbështetjen që Greqia ka dhënë në këtë proces shumë të rëndësishëm”, - u shpreh z. Berisha. Sipas tij, janë rreth 1 milion shqiptarë që do të hyjnë e dalin në të dy vendet pa viza, do shkojnë, do të kthehen sërish. Por, në axhendën më të afërt të Parlamentit, PD-ja duhet të votojë ligjin antimafie, për të gjitha këto motive: “Për motivin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në Evropë, proces i cili po ecën me sigurinë më të madhe; për shkak të seriozitetit që ne po dëshmojmë në reformat tona, për të plotësuar një për një të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit për heqjen e vizave”.