Topi: Jam gati për zgjidhjen e ngërçit politik
Nëse ngërçi politik nuk zgjidhet mes dy partive kryesore në vend, kryetari i shtetit, Bamir Topi, do të iniciojë uljen në tryezë të liderëve Berisha dhe Rama për zgjidhjen e situatës pas bojkotit të opozitës. Me fillimin e afatit të vënë nga Partia Socialiste për hapjen e kutive të 28 qershorit, Presidenti Bamir Topi shprehet i gatshëm të ndërhyjë në zgjidhjen e ngërçit politik. Topi ofroi dje asistencën e tij si negociator mes Partisë Socialiste dhe qeverisë, por shprehet se nuk mund ta luajë një rol të tillë pa vullnetin e partive. Sipas tij, çështja qëndron gjithmonë tek vullneti politik i partive politike. “Nuk është koha për të dhënë një prononcim të tillë në një eveniment si ky, ku unë kam ardhur për të respektuar. Mirëpo për të respektuar edhe gazetarët dhe në të njëjtën kohë edhe median, unë atë gatishmëri që kam pasur gjithmonë, vazhdoj ta kem, por çështja qëndron gjithmonë tek vullneti politik i partive politike”, - theksoi z. Topi. Kreu i shtetit ka përsëritur jo rrallëherë thirrjet e tij kundër bojkotit, por pas acarimit të situatës dhe ultimatumit 10-ditor të Partisë Socialiste, ai kalon nga niveli deklarativ në ofertë konkrete për të zgjidhur situatën. Presidenti i Republikës nëpërmjet deklaratave të mëparshme i ka kërkuar politikës që të gjejë kompromisin. Nga ana e saj, mazhoranca dhe lideri Sali Berisha janë shprehur vazhdimisht për bashkëpunim, duke i përsëritur pothuajse në mënyrë të përditshme kryetarit të PS-së ftesën për bashkëpunim. Madje, PD-ja është shprehur e hapur për hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke i lënë opozitës të drejtën e kryesimit dhe shumicën në komisionin parlamentar, por thirrja e Berishës për bashkëpunim vazhdon të refuzohet nga ana e PS-së dhe kryetarit Edi Rama.