Bashkitë e PS-së do të paralizojnë punën
PS-ja ka vendosur t’i përdorë të gjitha format e protestimit ndaj qeverisë, me qëllim që të hapë kutitë “e mbyllura” nga gjykata për zgjedhjet e 28 qershorit. Por forma që ajo ka gjetur për të vazhduar garën e forcës me qeverinë, duket se do të jetë fatale për qytetarët, duke u bllokuar atyre shërbimet e përditshme dhe shumë të nevojshme që u afron pushteti lokal. Jo pak, por bashkia më e madhe në vend, Tirana, dhe disa bashki të tjera të mëdha, që drejtohen nga socialistët si Fieri, Vlora, Durrësi e të tjera bashki dhe komuna do të vendosin ndërprerjen e punës së tyre. Një masë ekstreme kjo, që nuk dihet akoma se si do të pritet nga qytetarët, por që duket si një ndëshkim i parë që bie në kurriz të tyre, duke u pezulluar shërbimet, që nga pajisja me certifikata nga gjendja civile, pagimi i taksave, pastrimi i qytetit, celebrimet etj. Burime zyrtare pranë PS-së bëjnë të ditur se vendimi do të merret më 5 dhjetor nga përfaqësuesit e pushtetit vendor të zgjedhur nga PS-ja, sigurisht me në krye Edi Ramën, kryetarin e PS-së që drejton njëkohësisht për të tretin mandat radhazi dhe Bashkinë e Tiranës. Nuk dimë nëse e kanë llogaritur koston e këtij vendimi, duke pasur parasysh se vetëm kryeqyteti, i cili klasifikohet si metropol, do të paralizohej tërësisht nga një protestë e tillë. Qëllimi i kësaj proteste, sipas zyrtarëve të PS-së, ka të bëjë me konfliktin që këto bashki kanë me qeverisjen vendore për çështje fondesh. Sipas tyre, ndërprerja e funksionimit do të bëhet për shkak të pamundësisë financiare, por nga ana tjetër ajo vjen në vazhdën e protestave që po bën opozita për hapjen e kutive të votimit. Ndërsa vetë Rama, duke folur për konfliktin që ka pushteti vendor i drejtuar prej PS-së me qeverinë, tha: “Bashkitë dhe komunat janë thjesht një pjesë e tërësisë së përfaqësive politike, përfaqësive të grupeve të interesit, atyre sociale, që janë në konflikt me këtë pushtet interesash familjare e klanore”. Por, ai nuk pranoi të zbardhte detaje të tjera për vendimet që do të merren në fillim të dhjetorit
Rama tërhiqet nga kutitë, kërkon pushtetin
Paqartësia e PS-së për kërkesën e tyre më madhore, që ka të bëjë me rinumërimin e votave, për shkak të pretendimit për manipulime vazhdon. Kjo paqartësi u vu re qartë tek deklaratat e kryetarit të opozitës së sotme, Edi Rama, i cili e tha hapur se shumë shpejt do të heqë dorë nga kërkesa për hapje të kutive dhe do të kërkojë rrëzimin e pushtetit aktual, që erdhi pas zgjedhjeve të 28 qershorit, zgjedhje këto të certifikuara nga organet ligjore dhe nga ndërkombëtarët. “Pas 10 ditësh, në rast se Sali Berisha refuzon t’i hap rrugë hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve, duke filluar nga hapja e kutive, hyjmë pashmangshmërisht në një fazë të re të aksionit opozitar dhe hapja e kutive apo më saktë, moshapja e kutive, bëhet një arsye e mjaftueshme për popullin opozitar që të kërkojë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme”, - tha Rama dje. Dy ditë më parë, zëdhënësja e tij tha se PS nuk kërkon rinumërim votash, gjë që hedh poshtë gjithë kauzën e protestave dhe të bojkotit parlamentar.