E Diel, 1 Nëntor 2026

Antimafia, Kuliçaj i kërkon Gjermanisë dosjet e shqiptarëve

Pas verifikimeve pritet sekuestrimi i pasurive të vendosura në rrugë kriminale

Shqipëria i kërkon Gjermanisë dosjet e gjithë shqiptarëve të dënuar atje për të bërë sekuestrimin e pasurive të tyre në vendin tonë. Kërkesa është bërë nga kreu i hetimit të krimit në policinë shqiptare, Agron Kuliçaj, në një takim me presidentin e Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë. Një kërkesë e tillë pritet t’u bëhet edhe vendeve të tjera, ku janë dënuar shqiptarë me qëllim vënien sa më mirë në zbatim të ligjit Antimafia për sekuestrimin e pasurive të vëna në rrugë kriminale.

Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, policia shqiptare ka nisur punën për verifikimin e gjithë personave me precedentë penalë, të cilët dyshohen se kanë vënë pasuri nga përfitimet kriminale. Në lidhje me këtë, policia shqiptare do të kërkojë nga homologët vënien në dispozicion të dosjeve të shtetasve shqiptarë të dënuar në vendet e tjera, me qëllim verifikimin e investimeve të tyre në Shqipëri. Dje, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, ka pritur, në një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, presidentin e Policisë Federale Kriminale Gjermane, z. Jörg Ziercke, në vijim të vizitës së tij dyditore në vendin tonë. Në qendër të bisedës së zhvilluar ndërmjet drejtuesve të lartë të policisë së dy vendeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të suksesshëm policor ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, veçanërisht në goditjen e krimit të organizuar dhe shkëmbimit të informacionit.

Në këtë aspekt, Kuliçaj, duke u ndalur në arritjet e Policisë së Shtetit në goditjen e krimit të organizuar, veçoi ndryshimet në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, të ashtuquajtur “Ligji antimafia”. Po ashtu, theksi u vendos edhe në domosdoshmërinë e shkëmbimit të të dhënave kriminale për të gjithë shtetasit shqiptarë që janë dënuar në territorin e Republikës së Gjermanisë për veprat e krimit të organizuar, për të cilët pas marrjes së dënimit, ligji lejon hetimin e pronave dhe pasuritë e tyre, të krijuara në rrugë të paligjshme në Shqipëri. Zv/drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit shprehu interes për vazhdimin e mëtejshëm të shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare dhe asaj gjermane në fushën e hetimit të krimit financiar, krimit kompjuterik dhe trafiqeve të paligjshme, duke shpresuar në rritjen e nivelit të bashkëpunimit. I të njëjtit mendim ka qenë edhe presidenti i Policisë Federale Kriminale Gjermane, Jörg Ziercke, i cili duke shprehur përshtypjet pozitive të marra gjatë kësaj vizite, ka garantuar rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbim më të madh të informacionit në lidhje me veprimtaritë kriminale. “Kam mbetur shumë i impresionuar dhe me përshtypje shumë pozitive nga kjo vizitë, qoftë për teknikat që ju përdorni, ashtu edhe për standardet e larta që keni arritur. Ju u shprehët se baza për bashkëpunimin policor është besimi dhe dua ta mbështes plotësisht këtë mendim tuajin”, tha Ziercke.

Më tej, Kuliçaj vlerësoi bashkëpunimin dhe asistencën e vazhdueshme të dhënë nga policia gjermane për Policinë e Shtetit në drejtim të forcimit të kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve të ndryshme, por edhe të pajisjeve të dhuruara. Zv/drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, vlerësoi gjithashtu mbështetjen e strukturave të Policisë Federale Kriminale Gjermane për Policinë e Shtetit në drejtim të projekteve, siç është projekti që konsiston në hetimin e pastrimit të parave dhe krimin financiar, që arrin një vlerë prej 1 milionë e 300 mijë eurosh, i financuar nga delegacioni i BE. Duke iu referuar këtij projekti, Kuliçaj evidentoi se objektivat kryesore të këtij projekti kanë qenë forcimi i kapaciteteve të strukturave që merren me hetimin e pastrimit të parave, të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore, përshtatja e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e vendeve të BE, si dhe hartimi i strategjisë kombëtare në luftën kundër krimit financiar. Në përfundim të takimit, dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se përballja në luftën ndaj krimit, në mënyrë të veçantë atij të organizuar, kërkon një bashkëpunim intensiv të strukturave të zbatimit të ligjit të të gjitha vendeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›