Plani për të kontrolluar me detaj institucionet e pavarura
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë shikojnë mundësinë e ndryshimit të legjislacionit sa i takon kontrollit të aktivitetit të institucioneve të pavarura. Aktualisht raportimi i këtyre institucioneve kryhet një herë në vit, duke paraqitur punën e bërë, ndërsa Kuvendi mendon që nevojitet ngritja e një strukture të re për të vëzhguar më nga afër aktivitetin e institucioneve të pavarura. Reforma e re doli në dritë gjatë raportimit dy ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë të kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në pyetje e sipër, anëtarët e komisionit kërkuan të dinin më tepër rreth rolit të audituesve dhe pavarësisë së KLSH-së në kryerjen e kontrollit, dhe nëse brenda saj ka një strukturë antikorrupsion që monitoron punën e inspektorëve.
Për anëtarin e Komisionit të Ekonomisë, Sherefedin Shehu, është shumë e rëndësishme të kuptohet qartë puna që kryejnë institucionet e pavarura, si për shembull Autoriteti i Konkurrencës, KLSH apo Banka e Shqipërisë. Sipas Shehut, ka një direktivë të BE-së për rolin e Kuvendit në raport me institucionet e pavarura, ku theksohet rritja e monitorimit të tyre. “Nuk bëhet fjalë thjesht te buxheti i tyre, por te puna sesi e kanë kryer”, thotë Shehu, ish-zv.ministër Financash në qeverinë e kaluar. Sipas tij, një ide është krijimi i një nënkomisioni ekonomie, që në raste të caktuara të inspektojë punën e atyre institucioneve të pavarura që mbulojnë fushën e ekonomisë.
Për të arritur objektivin, po shikohet mundësia e ndryshimit të ligjit organik të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe të Auditit të Brendshëm. Ky i fundit ka shumë probleme, pasi raportet janë pak të besueshme, për aq kohë se drejtori i auditit varet direkt nga ministri dhe se shkeljet janë të vështira për t’u pranuar. Sipas Edmond Spahos, kryetar i Komisionit të Ekonomisë, kontrolli më i detajuar i institucioneve të pavarura ndodh edhe në parlamentet e Bashkimit Europian. “Nuk është rritje presioni. Vetë KLSH-ja e ka pranuar një gjë të tillë. Sa i takon nënkomisionit, nevojitet ende kohë për të caktuar qartë buxhetin dhe strukturën”, thotë Spaho. Sipas tij, është shumë e rëndësishëm që të vrojtohet puna e institucioneve të pavarura, që janë nën drejtimin e Kuvendit.
Një tjetër ekspert, ish-këshilltar i Kryeministrit, tani deputet dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë, Selami Xhepa, e shikon me mjaft rëndësi rolin e ndonjë strukture të pavarur brenda KLSH-së, dhe jo vetëm.
Për momentin, një ide e hedhur dhe që duket më shumë e zbatueshme deri në hartimin e plotë të legjislacionit, është marrja nga jashtë e audituesve të huaj, të cilët nuk e ndjejnë presionin e politikës. Gjithsesi, ajo që mbetet garant është krijimi i një strukture të re brenda Kuvendit, në varësi të komisioneve të posaçme, ekonomike apo të ligjeve, për të parë nga afër sesi punojnë institucionet e pavarura.
#