Urdhri i Sollakut: Ekspertët e KLSH-së të mos pyeten
Njësitë antikorrupsion të hapura në disa rretheve të Shqipërisë e kanë të pamundur të hetojnë dosjet e sjella nga KLSH-ja, pasi ato janë në formën e raporteve ekonomike, sesa në formën e kallëzimeve. Si pasojë, shumica e dosjeve janë pushuar me argumentimin se parregullsitë e gjetura janë administrative dhe jo vepra penale. Në të shumtën e rasteve prokurorët kanë hasur vështirësi në hetimin e këtyre materialeve. Shumë prokurorë e kanë pasur të vështirë të marrin në pyetje ekspertët që kanë hartuar këto kallëzime. Personi që është vendosur si urë ndërlidhëse ka dhënë disa informacione, por jo aq sa t’i bindë hetuesit të fillojnë procedimet penale. Prokurorë dhe hetues të krimit ekonomiko-financiar deklarojnë se e kanë të pamundur të thërrasin për dëshmi ekspertin që ka kryer këtë kallëzim, pasi urdhri i vitit 2007 i ish-prokurorit të Përgjithshëm ua pengon një gjë të tillë. Mësohet se urdhri në fjalë është ende në fuqi dhe ua ka vështirësuar punën prokurorëve. Ndërkohë, burime zyrtare nga akuza qendrore deklarojnë se për të gjitha veprimet në një procedim penal prokuroria mund të marrë “lejen” e gjykatës dhe të vazhdojë për të mbledhur prova.
#