Antimafia, bllokon edhe 2 milionë euro
Trazhgim Sokolaj
Njësia Task- Force Antikorrupsion i referon Prokurorisë së Krimeve të Rënda dy dosje pasurish të dyshuara për bllokim sipas ligjit "Anfimafia". Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se Zyra Task- Force Antikorrupsion pranë këtij institucioni, i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda dy dosje penale me prona dhe llogari bankare me vlerë 3 milionë euro, të cilat duhet të bllokohen sipas ligjit 'Anfimafia'. Zotëruesit e këtyre pronave, sipas burimeve të akuzës janë hetuar fillimisht nga Task- Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa sipas udhëzimit të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, dosjet për konfiskimin e pasurisë, i janë përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas dosjeve të transferuara tek Krimet e Rënda për dërgimin e kërkesave për sekuestro në gjykatë, pronat që duhet të bllokohen janë dy llogari bankare me vlera përkatësisht 1.5 milionë euro dhe 500 mijë euro. Këto llogari bankare të identifikuara, sipas prokurorisë kanë burim të dyshimtë financimi ndërsa janë në emrin e shtetasit C.M. I njëjti person, sipas prokurorisë ka në zotërim edhe një truall prej 4100 metra katrorë sipërfaqe në një fshat të Vlorës si dhe një pikë karburanti në këtë qytet. Për të gjitha këto pasuri, sipas prokurorisë, materialet janë përcjellë tek Krimet e Rënda me qëllim konfiskimin e tyre me urdhër gjykate. Dosja e dytë është regjistruar në emër të një kompanie, shoqëri aksionere e cila zotërohet në maxhorancë të pronësisë nga një person i hetuar për akuzën "pastrim parash". Për shkak të sekretit të procesit hetimor, prokuroria nuk ka bërë të ditur identitetin e personave, por mësohet se dosja e dytë bën fjalë për konfiskimin e një llogarie bankare prej 100 mijë euro si dhe bllokimin e dy apartamenteve.
Hetimet "Antimafia"
Më 25 janar 2010 hyri në fuqi ligji i ri 'Antimafia', i cili parashikon bllokimin e pasurisë së personave që kanë të ardhura kriminale. Ligji parashikon një kategori veprash penale që lidhen me terrorizmin, trafiqet e drogës, femrave, armëve, qenieve njerëzore etj, por edhe akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Të gjithë personat e dënuar, të pandehur apo të dyshuar për këto krime, i nënshtrohen hetimit pasuror. Verifikimet, sipas një udhëzimi të nxjerrë nga Prokurorja e Përgjithshme në zbatim të ligjit Antimafia, bëhen fillimisht nga policia gjyqësore dhe Prokuroritë e Rretheve e më pas dosjet referohen pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka krijuar një strukturë të mirëfilltë për hetimet pasurore me tre prokurorë dhe tre oficerë hetues. Detyra e tyre është të plotësojnë dosjet e rasteve të referuara nga rrethet dhe më pas të paraqesin në gjykatë kërkesat për konfiskimin e pasurive.
Ligji
Paketa ligjore e cila ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti është një plotësim i ligjit 'Antimafia' që u miratua në shtator 2004. Ligji me ndryshimet e vitit 2010, parashikon hetimin dhe bllokimin e pasurisë së vënë nga krimi, pavarësisht nëse zotëruesi i saj është dënuar, ka një procedim penal apo është shtetas i lirë. Nëse ka të dhëna që tregojnë se pasuritë e tij nuk janë në përputhje me të ardhurat e ligjshme, policia gjyqësore menjëherë fillon hetimin. Nëse gjenden prova që tregojnë se pasuria është vendosur me burime kriminale, menjëherë veprohet me kërkesë drejtuar Gjykatës për sekuestrimin e pasurisë. Në kuadër të ligjit të ri 'Antimafia', Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bllokuar deri tani pasuritë e dy anëtarëve të Bandës së Durrësit dhe të Lushnjës.
Pasuritë në hetim
Dosja e parë
Llogari bankare 1.5 milion euro
Llogari bankare 500 mijë euro
Në emër të shtetasit C.M
Truall me sipërfaqe 4100 m2 në Vlorë
Impiant karburanti, Vlorë
Lokal "Bar Kafe"
Dosja e dytë
Llogari bankare 100 mijë euro
Dy apartamente në Tiranë