Prostitutat dëshmojnë kundër ish-tutorit te Krimet e Rënda
TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda mori dy ditë më parë dëshminë e dy grave të trafikuara në Itali, për të cilat akuzohet kryeqytetasi Agim Imeri. Para një gjyqtari të Krimeve të Rënda dy gratë e trafikuara, 31 dhe 29 vjeçare pohuan se ishin shfrytëzuar në disa qytete italiane për prostitucion nga i pandehuri derisa pak muaj më parë kishin mundur të largoheshin dhe ishin kthyer sërish në Shqipëri. Burime nga seanca e zhvilluar me dyer të mbyllura pohuan se, gjatë seancës së pyetjeve, dy gratë kanë treguar se ishin mashtruar prej Imerit dhe se ishin dërguar në Itali për të ushtruar prostitucion, ku mesatarisht fitonin deri në 10 mijë euro në muaj, të cilat përfundonin në xhepin e tutorit. Ndërkohë i pandehuri, i arrestuar tre muaj më parë në Tiranë reagoi përballë dëshmisë së tyre duke braktisur seancën në shenjë proteste. Ndërsa përfaqësuesja e akuzës mësohet se gjatë seancës ka pohuar se i pandehuri gjatë viteve të fundit ka shfrytëzuar në Itali për prostitucion katër vajza shqiptare, të cilave u premtonte martesë dhe jetesë së bashku në Itali. Por sapo i dërgonte në qytetet italiane të zonës së veriut, ai i nxirrte në rrugë të prostituonin duke ju marrë me dhunë të gjitha paratë që fitonin. Dy gratë e pyetura gjatë seancës gjyqësore te Krimet e Rënda mësohet se kanë pohuar që ishin divorcuar nga bashkëshortët shumë vite më parë dhe se nuk kishin asnjë mënyrë tjetër për të ushqyer fëmijët e mitur. Të detyruara nga problemet ekonomike ato kishin pranuar martesën me të pandehurin Imeri dhe premtimin e tij për t’u shpërngulur në Itali për një jetë më të mirë. Por sapo kishin mbërritur përtej Adriatikut ato kishin përfunduar në trotuar duke prostituuar, ndërsa të gjitha paratë që ato fitonin përfundonin në xhepat e të akuzuarit Imeri. Burime nga procesi pohojnë se Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të merrte dëshminë e dy grave në një seancë gjyqësore, pasi ekziston rreziku i largimit të të dëmtuarave apo ndryshimi i thënieve të tyre. Në këtë mënyrë, me kërkesë të prokurorisë, provat sigurohen dhe deklarimet e dy grave mund të lexohen gjatë procesit të pritshëm në ngarkim të kryeqytetasit Imeri. Aktualisht Imeri ndodhet në qelitë e paraburgimit, ndërsa pritet që në muajt në vazhdim Krimet e Rënda të mbyllin hetimet ndaj tij dhe të dërgojnë çështjen në gjykatë. fa.ma.