Rrugët të papërfunduara, kaos në qytet
KORçE- Infrastruktura rrugore në Korçë paraqitet problematike. Burime të bashkisë bënë të ditur se projektet për infrastrukturën zvarriten për zbatim për një kohë të gjatë. Shkak është mungesa e çeljes së fondeve, pasi këto projekte financohen nga grantet konkurruese të Qeverisë apo edhe nga buxheti i shtetit. Nënkryetari i bashkisë Sotiraq Filo u shpreh se “dy rrugë në lagjet nr. 7 dhe 18 të qytetit, nuk po përfundojnë prej gati dy vitesh pasi nuk lëvrohen fondet e dhëna nga grantet konkurruese”. Më problematike, është gjendja për infrastrukturën e re të unazës së jashtme të qytetit të Korçës. E nisur prej disa vitesh kjo unazë ende nuk ka përfunduar duke krijuar vështirësi për qarkullimin e mjeteve. Po kështu edhe segmenti që lidhet me superstradën e Kapshticës, ka mbetur në një gjendje mjaft të rëndë. g.a