Lirohen tetë të burgosur,prokuroria akuzon gjykatën
BURREL/ HASAN PASHA
Rikthehen përplasjet e forta mes Prokurorisë dhe Gjykatës së Matit. Lirimi me kusht i tetë të dënuarve nga Burgu i Sigurisë së Lartë Burrel ka revoltuar prokurorët e Matit, të cilët jo vetëm i kanë apeluar vendimet e Gjykatës së Burrelit, por eksponentë të saj janë shprehur se për vendimet, sipas tyre të padrejta, kanë vënë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe strukturat e tjera të drejtësisë shqiptare. “Po lirohen nga gjyqtarët e Matit njëri pas tjetrit të dënuarit”, është akuza e fortë, që vjen nga prokuroria e rrethit verilindor. Lirimi nga Gjykata e Matit gjatë muajve të parë të këtij viti e të dënuarve për vepra të rënda penale: Artur Bala, Naim Sheta, Mehmet Skura, Lavdërim Pepkola dhe Gjergj Luka, Bilbil Salia, Vladimir Laska e Rasim Miftari është pritur me shqetësim nga prokurorët e këtij rrethi. Pas çdo vendimi për lirim të këtyre personave, ndonëse u kishin mbetur edhe disa vjet dënim, Prokuroria e Matit ka apeluar, duke saktësuar së ky lirim është i paligjshëm dhe i rrezikshëm. “Ne jemi totalisht kundër lirimit të personave që kanë kryer krime, kanë bashkëpunuar në tentativa vrasjeje, kanë kryer trafik, kanë grabitur nën kërcënimin e armëve, kanë terrorizuar e vrarë”, pohuan përfaqësues të organit të akuzës. Lirimi më 23 mars të këtij viti i Artur Balës, i akuzuar se bashkë me Admir Tafilin kanë qëlluar duke plagosur një drejtues policie, është kundërshtuar që gjatë seancave gjyqësore nga prokurorët e Burrelit. Sipas tyre, ai duhet të vuante dënimin deri në fund, sepse mbi të rëndon një akuzë e rëndë. Ndërkaq, për Shetën organi i akuzës ka shfaqur rezervat e tij, sepse ai ka kryer një vepër të rëndë penale, siç është trafikimi i qenieve njerëzore dhe për rrjedhojë duhet t’i shkojë dënimit deri në fund. Lavdërim Pepkola sipas prokurorisë është dënuar për grabitje me armë dhe nuk ka asnjë provë të re që ai të lirohet nga burgu, gjë që është kryer nga Gjykata e Matit më 5 mars të këtij viti. Lirimi i fundit është kryer me 8 prill 2010 dhe përfituesi i uljes së dënimit me 3 vjet është Gjergj Luka. Mësohet se si argument gjykata ka pranuar raportet mjekësore apo problemet familjare që kanë pasur të dënuarit. Por nga ana e saj, prokuroria thotë se për veprat që janë dënuar ata, nuk parashikohet lirimi me kusht, ndërsa për gjykatën ka pasur arsye të forta për lënien e tyre jashtë qelive.
Ish-të dënuarit
Artur Bala, i akuzuar për bashkëpunim në plagosjen e shefit të policisë së Malësisë së Madhe. I dënuar me 13 vjet heqje lirie, gjyqtarët e Burrelit kanë pranuar lënien e tij të lirë dhe pse i kishin mbetur 3 vjet e gjysmë e dënimit, me argumentimin se ka kaluar ¾ e masës së dënimit.
Bilbil Salia është dënuar me 14 vjet heqje lirie për një vrasje të kryer në Durrës, sipas prokurorisë, për hakmarrje. Gjykata është shprehur se ky ish i dënuar ka bashkëshorten e sëmurë dhe duhej liruar dhe pse kishin mbetur 3 vjet burg.
Gjergj Luka, i dënuar nga gjykatat shqiptare me 18 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes me dashje në qytetin e Lezhës i kishin mbetur dhe 3 vite burg. Sipas prokurorit ky i dënuar ka pasur 8 masa disiplinore çka nuk e justifikon vendimin e gjykatës së Matit.
Lavdërim Pepkola, i dënuar me 10 vjet për veprën penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim duhet të vuante edhe 20 muaj burg. Sipas prokurorisë ai kishte disa masa disiplinore në burgun e Burrelit.
Naim Sheta, i dënuar me 10 vjet burg për vjedhje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. I kishin mbetur dhe dy vjet për të vuajtur dënimin. Vetëm për vitet 2007-2009 kishte 4 masa disiplinore.
Vladimir Laska, i dënuar me 13 vjet heqje lirie për vjedhje me armë, duhet të vuante edhe 3 vjet burg. Prokuroria ka kërkuar rrëzimin e vendimit të Gjykatës Burrel, pasi ai nuk plotësonte asnjë kriter të veçantë për t’u liruar.
Rasim Miftari, i dënuar me 15 vjet për veprën penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Duhet të vuante edhe 3 vjet e gjysmë burg. Prokuroria e Burrelit ka kërkuar që ky person të mos lirohet pasi nuk ka arsye të veçanta që e favorizojnë atë.
Mehmet Skura, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për vrasje me dashje në Dibër, në vitin 1990. Duhet të vuante edhe 3 vjet burg. Gjykata është shprehur se ai ka kryer ¾ e dënimit dhe se Shërbimi i Provës ka kërkuar lirimin e tij.