E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujë i ndotur në shtëpitë e qytetarëve



KUKES - Ka disa ditë që uji i pijshëm në rubinetet e banorëve të lagjes numër 1 në qytetin e Kukësit arrin i ndotur, duke u bërë i pakonsumueshëm. Banorët, me të diktuar erën e rëndë të ujërave të zeza, të shqetësuar kanë ndërprerë konsumin e ujit dhe kanë dërguar në Drejtorinë e Shëndetit Publik shishet me ujë. Që në pamjen e parë nuk është e vështirë të shquash se uji i pijshëm është përzier me ujërat e zeza përgjatë rrugës së kanalizimeve tejet të amortizuara, të ndërtuara që me krijimin e lagjes më të vjetër të qytetit, në vitin 1962. Shqetësimin e banorëve e kanë vlerësuar edhe specialistë të shëndetësisë, të cilët kanë rekomanduar moskonsumimin e ujit, derisa të dalin analizat e plota të tij. Ndërkohë, Ndërmarrja e Ujësjellësit është e pafuqishme të ndërhyjë në rrjetin e amortizuar për mungesë të financave, pasi dhe konsumatorët nuk shlyejnë detyrimet karshi saj. Me afrimin e verës, jo vetëm që cilësia e ujit është e dyshimtë, por ai ka nisur të mungojë në katet e sipërme të pallateve gjatë gjithë ditës. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›