Vrasja në Kamëz, “pajtohen” familjet
Etleva Delia
Mirsen Gjoka, adoleshenti i akuzuar për vrasjen nga pakujdesia të Bledar Lushës, dy ditë më parë në Kodër Kamëz, është shprehur thellësisht i penduar në polici për ngjarjen e rëndë. Adoleshenti 18-vjeçar ndodhet në qeli duke dhënë përgjigje për një krim që thotë se e ka kryer jashtë vullnetit të tij, ndërsa 18-vjeçari Bledar Lusha u përcoll dje për në banesën e fundit. Dhimbjen e dyfishtë për ndarjen nga jeta të adoleshentit, e ndanë dje të dy familjet, edhe të afërmit e viktimës, por edhe ata të autorit, të cilët fatkeqësia i ka bërë bashkë në shtëpinë e familjes Lusha, në lagjen Kodër Kamëz të Tiranës. Të bindur që gjithçka ndodhi aksidentalisht, duke mos dyshuar në asnjë moment për të kundërtën, familjarët e Bledar Lushës, kanë pritur për ngushëllim të afërmit e adoleshentit të arrestuar, madje duke organizuar bashkë me ta ceremoninë mortore. Të dy familjet, me lidhje gjaku me njëra-tjetrën, nga ana e nënës së viktimës, përcollën dje në banesën e fundit, nga Kodër Kamza, në varrezat e Laknasit, Bledar Lushën, duke u shoqëruar nga një kortezh i gjatë mortor. Në të njëjtën kohë, autori i vrasjes aksidentale që ndodhi dy ditë më parë, Mirsen Gjoka, ka dhënë shpjegime para oficerëve të policisë për krimin që sipas tij do i mbetet në mendje për të gjithë jetën. Duke pranuar autorësinë, madje duke marrë përsipër edhe akuzën e armëmbajtjes pa leje, Mirsen Gjoka është shprehur i penduar në qelinë e Drejtorisë së Policisë në Tiranë, duke rrëfyer i përlotur se si kishte ndodhur ngjarja.
Dëshmia e autorit
“Jam penduar që e preka me dorë atë armë të mallkuar. Edhe pse gjithçka ishte aksident, kjo ngjarje është fiksuar në mendjen time dhe nuk do më ndahet për asnjë moment”. Kështu ka nisur dëshminë e tij para oficerëve të seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, 18-vjeçari Mirsen Gjoka, i vetëdorëzuar në polici menjëherë pas ngjarjes së dy ditëve më parë. Sipas burimeve nga policia, Gjoka ka pranuar se arma ishte e tij dhe e kishin marrë bashkë me Bledarin dhe një tjetër të afërm të tyre për t’i bërë fotografi njëri-tjetrit, e që më pas t’i vendosnin në profilet përkatëse në ‘Facebook’. Mësohet se Gjoka ka rrëfyer se nuk ka pasur dijeni se automatiku që po përdornin e kishte fishekun në gojë dhe gjithçka ka ndodhur pa dashje. Përveç shpjegimit të rrethanave të ngjarjes, Gjoka ka kërkuar që të jetë i pranishëm në varrimin e kushëririt të tij, por nuk është lejuar nga policia.