Ligji, Krimet e Rënda rihetojnë 600 dosje
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke rihetuar të paktën 600 dosje penale me mundësinë e zbatimit të ligjit 'Anfimafia' tek të pandehurit e tyre. Dosjet penale që po rihetohen janë regjistruar gjatë tri viteve të fundit nga janari 2007 deri në prill 2010. Rihetimi i këtyre dosjeve po kryhet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Zyra e krijuar për zbatimin e ligjit 'Antimafia', për shkak se gjatë tri viteve të fundit, hetimet pasurore thuajse u pezulluan nga një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë shpallur në janar 2007. Ky vendim lejonte bllokimin e pasurisë vetëm nëse provohej se ajo ishte vendosur pas regjistrimit të procedimit penal ndaj zotëruesit të saj. Më hyrjen në fuqi të ligjit të ri 'Antimafia', duke qenë se dosjet e hetuara nga 2007 janë ende në afat, Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka filluar hetimin e pronave të personave të pandehur, të dyshuar dhe të dënuar në këto procedime. Në këtë hetim po merr pjesë edhe Zyra Antimafia e krijuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për zbatimin e ligjit të ri që hyri në fuqi në 25 janar 2010.