E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet banesa në zonën muzeale



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Banesat e pazarit karakteristik të Korçës po shemben për shkak të ndërhyrjeve pa kriter me qëllim ndërtimet e reja. Ndërhyrja për të ngritur një banesë të re në këtë zonë papritur ka sjellë shembjen e një godine ngjitur me të. Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes nuk ka pasur afër punëtorë apo kalimtarë. Godina e vjetër tashmë është shkatërruar plotësisht, ndërsa pronari i saj ka kryer kallëzim në polici për shkatërrim të pronës. Policia bëri të ditur se ka filluar ndjekjen penale ndaj vëllezërve çelnik dhe Roland Liçenji, me akuzën e shkatërrimit të pronës nga pakujdesia. Të dy vëllezërit, kanë ndërhyrë për të prishur një banesë të vjetër në zonën e pazarit për të ndërtuar në vendin e saj një të re. Por distanca e afërt me një banesë tjetër të vjetër ka bërë që kjo e fundit të shembet deri në themele. Policia tha se kallëzimi për shkatërrimin e kësaj ndërtese është bërë nga dy qytetarë të Korçës, M. Mulla dhe R. Malo. Ndërtesa në pronësi të tyre është shembur gjatë hapjes së themeleve nga vëllezërit Liçenji, të cilat më pas janë denoncuar për shkatërrim të pronës. Edhe ndërtesa të tjera të pazarit karakteristik të Korçës, ndër të cilat edhe objekte të shpallura monument kulture janë në gjendje të amortizuar dhe rrezikojnë dita -ditës shembjen. Pavarësisht ndërhyrjeve të pjesshme për riparimin dhe mirëmbajtjen e tyre, ato sërish janë të rrezikuara. Me gjithë amortizimin e këtyre ndërtesave të ngritura rreth viteve 30, askush nuk ka vënë dorë për rikonstruksionin e plotë të tyre. Kjo zonë është një kompleks muzeal për shkak se pazari i saj ka qenë funksional jo vetëm për banorët e juglindjes, por madje edhe me Greqinë. Banorët e zonës kanë kërkuar disa herë të ndërhyhet, pasi shembja e banesave rrezikon jetët e tyre. Sipas policisë, banesa e shembur ishte braktisur prej disa vitesh nga pronarët e saj për shkak të amortizimit. Nëse ajo do të kishte qenë e banueshme, atëherë pasojat do të kishin qenë tragjike. Megjithatë, gjendja paraqitet alarmante duke pasur parasysh se dhjetëra familje korçare vijojnë të jetojnë në këto shtëpi karakteristike, ndonëse ato janë të vjetruara dhe thuajse jofunksionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›