E Diel, 1 Nëntor 2026

Antimafia italiane, në zyrën e Ina Ramës

Kryeprokurorja i kërkon kreut të Antimafias përshpejtimin e procedurave për letër-porositë

TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, takoi mbrëmjen e djeshme kryeprokurorin e Antimafias italiane, Piero Grasso, i cili shoqërohej nga zvprokurori Giovani Mellio dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Sipas zëdhënëses së Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti, një vend të veçantë të bisedës mes tyre ka qenë thjeshtëzimi i shkëmbimit të informacioneve në nivel porokurorish si dhe përshpejtimi i procedurave të ekzekutimit të letër-porosive nga të dyja palët. “Gjatë takimit dypalësh objekti i bisedës ka qenë, thjeshtëzimi i shkëmbimit të informacioneve në nivel prokurorish të të dyja vendeve, për përshpejtimin e procedurave të ekzekutimit të letër-porosive, vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes institucioneve të të dyja vendeve, me synim thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve në drejtim të luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve”,-thuhet në njoftimin zyrtar. Takimi është zhvilluar në zyrën e kryeprokurores Rama, e cila shoqërohej nga prokurorët Arben Dollapi, Artur Selmani dhe Zamir Shtylla, ndërsa ditën e mërkurë, kryeprokurori i Antimafias do të zhvillojë një takim kokë me kokë me prokurorin e Krimeve të Rënda, Olsian Çela, të cilët do të bisedojnë për forcimin e marrëdhënieve të institucionit që ai drejton dhe prokurorisë italiane, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të ndryshme. Gjatë ditës së sotme, kryeprokurori i Antimafias italiane, Grasso, i shoqëruar nga përfaqësues të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm do të zhvillojnë takime me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›