E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedia: Zylfie Haklaj nuk do të ekstradohet

Pas vëllait të saj 70-vjeçar, Zylfie Haklaj është duke i dhënë “lamtumirën” drejtësisë shqiptare për vrasjen e dyfishtë

Prokurorët suedezë kanë refuzuar ekstradimin e “Shotës” së Haklajve, pasi i rrezikohet jeta

SUEDI- Prokurorët suedezë kanë vendosur të mos ekstradojnë Zylfie dhe Hamdi Haklajn, edhe pse ata dyshohet se kanë kryer një sërë vrasjesh në Shqipëri. Arsyeja e këtij qëndrimi të prokurorëve suedezë është shqetësimi se jeta e tyre nuk është e sigurtë në vendlindje. Motër e vëlla u izoluan në veri të Suedisë, për shkak të një urdhër-arresti ndërkombëtar, ndërsa gjykatat duhej të vendosnin nëse gruaja 45-vjeçare dhe vëllai i saj 70-vjeçar do të dërgoheshin në Shqipëri apo jo. Zylfie Haklaj, e cila u arrestua në prill është dënuar më parë nga një gjykatë në Shqipëri me 25 vjet burg për një krim të kryer në vitin 2002, ku ekzekutoi dy burra në shenjë hakmarrjeje për vëllanë e vrarë.

Kreu i Prokurorisë suedeze vendosi kundër ekstradimit të Zylfie Haklajt, duke u shprehur se Shqipëria nuk do të jetë e aftë të mbrojë të ashtuquajturën “Shota” e Haklajve nga një akt hakmarrës i pritshëm. Qeveria kishte marrë një vendim të ngjashëm më parë për vëllanë e Zylfie Haklajt, Hamdiun, i cili gjithashtu dyshohet se ka kryer vrasje në Shqipëri. Ai është mbajtur për disa kohë në një qendër izolimi në afërsi të Alingsas në veri të Suedisë, por u lirua pasi qeveria e ndau mendjen për të mos e ekstraduar atë. Motër e vëlla dyshohet se kanë kryer gjithsej pesë vrasje dhe shtatë tentativa vrasjeje në një histori të përgjashme hakmarrjeje në qytetin e tyre të lindjes, Bajram Curri.

Zylfie Haklaj është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit në qendër të Bajram Curritsi dhe përplagosjen e Izet Dushës dhe Hysen Biberajt. Tropojania 45-vjeçare, e njohur si "Shota" u dënuapër vrasjen e dyfishtë të kryer për motive hasmërie. Njëri prej viktimave, Rasim Lumneshi, akuzohej nga familja e Haklajve si organizator dhe pjesëmarrës në vrasjen e njërit prej vëllezërve të Zylfies. Pas ngjarjes së rëndë, të ndodhur në Tropojë, motra e Haklajve u zhduk pa gjurmë për një kohë të gjatë, derisa u identifikua në Suedi, pranë qytetit ku banonte i vëllai. E ndryshuar krejtësisht, Zylfie Haklaj megjithatë nuk i shpëtoi vëzhgimit të policisë suedeze, e cila fillimisht ekzekutoi urdhër-arrestin ndërkombëtar të autoriteteve shqiptare. Por disa muaj pas procesit të parë gjyqësor, Zylfia Haklaj duket se e ka të sigurtë azilin politik në Suedi, pasi pretendimi i saj se jeta i rrezikohet në vendlindje është marrë parasysh nga autoritetet suedeze.

Vendimi për Zylfie Haklajn

Vajza e vogël e familjes Haklaj, mëngjesin e datës 2 prill të vitit 2002 ka dalë nga shtëpia ku banonte, e veshur me rroba të zeza dhe me një pallto të hedhur krahëve, ku poshtë saj mbante armën automatik "kallashnikov". Zylfie Haklaj ishte nisur në drejtim të lokalit ku kishte informacione se hasmi i familjes Haklaj, Rasim Lumneshi, po pinte kafe. Sipas dëshmive, familja Haklaj dyshonte se familja Lumneshi kishte gisht në vrasjen e katër djemve të tyre, vëllezërve të Zylfe Haklajt, Halilin, Shkëlqimin, Fatmirin dhe Ylli Haklajn. Me t'iu afruar lokalit ku ndodhej Rasim Lumneshi ajo nxjerr armën dhe qëllon në drejtim të tij nga jashtë derës së lokalit, ku nga breshëria e armës mbetën të vrarë në vend, Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani, ndërsa u plagosën rastësisht Izet Dusha e Hysen Biberaj. Pas vrasjes, me armë në dorë ajo është larguar nga vendi i ngjarjes për t'u arratisur.

Akuzat për Hamdi Haklajn

Hamdi Haklaj është më i madhi i pesë djemve të Muharrem Haklajt, katër prej të cilëve: Shkëlqimi, Halili, Fatmiri dhe Ylli janë vrarë në atentate me mina të telekomanduara, me armë snajper apo në prita të sofistikuara gjatë viteve të shkuara në Tropojë. Ai njihet si "koka" e familjes Haklaj, fytyra e të cilit nuk ishte parë në Bajram Curri prej shumë vitesh. Për vite me radhë ai ishte kthyer në një mit në veri të vendit, pasi njihej për masat e forta të sigurisë që merrte, duke i shpëtuar të gjitha pritave dhe atentateve që janë organizuar ndaj tij. Hamdiu u akuzua për vrasjen e dy vëllezërve nga fshati Tropojë e Vjetër në Malin e Shkëlzenit, pas një zënke të këtyre të fundit me vëllanë e tij, Shkëlqimin. Ai qëndroi për 5 vjet rresht si kaçak në bjeshkë e më pas u arratis në Suedi, ku ka fituar azilin politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›