Vuante nga një sëmundje e rëndë, i jep fund jetës
TIRANË- Vuante nga një sëmundje e pashërueshme, i jep fund jetës. Hilmije Hamzaj, 52-vjeçe, nga Kavaja ka ndërruar jetë dy ditë më parë, pasi konsumoi një sasi helmi. Burime nga policia thanë se rreth 5 ditë më parë, 52-vjeçarja gjendej e vetme në banesën e saj ku dhe ka tentuar të vrasë veten. Ajo ka pirë një sasi lënde toksike “Rogor” dhe është gjetur në gjendje të rëndë nga familjarët. Këta të fundit e transportuan me urgjencë në spitalin e qytetit. Pasi mori mjekimin e parë në spital, gruaja u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku iu nënshtrua mjekimeve intensive. Por pavarësisht ndërhyrjes, mjekët nuk kanë mundur të shpëtojnë Hamzain, e cila ndërroi jetë mesditën e së dielës. Për vdekjen e gruas u lajmërua policia e cila nisi menjëherë hetimet për të zbardhur motivin që e detyroi atë të vetëhelmohej. Burime nga policia thanë se u morën në pyetje familjarët e saj të cilët deklaruan se 52-vjeçarja prej disa kohësh vuante nga depresioni. Hilmije Hamzaj vuante nga një sëmundje e rëndë dhe mjekët i kishin thënë se nuk do të jetonte gjatë. Vuajtjet e sëmundjes dyshohet të kenë qenë shkak i gjendjes depresive në të cilën ndodhej ditët e fundit gruaja. Dyshohet se për t’i dhënë fund vuajtjeve ajo ka përshpejtuar vdekjen duke konsumuar një sasi helmi. Megjithatë policia tha se po punohet për të zbardhur me saktësi shkakun që detyroi Hamzajin t’i japë fund jetës.