Teliti & Toma, padia në Gjykatën e Lartë
TIRANË- Shtyhet sërish seanca gjyqësore e hapur nga të pandehurit Armand Teliti dhe Andi Toma, të cilët kundërshtojnë zgjatjen e afateve hetimore edhe për një muaj nga Prokuroria e Përgjithshme. Shkak për këtë shtyrje u bë kërkesa e prokurorit Arben Kraja, i cili i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të shprehet për kompetencën e gjykimit. Këtë kërkesë, prokurori i çështjes, Kraja, e bazoi në deklarimet që avokati dhe dy të pandehurit Toma e Teliti kanë bërë para mediave dhe gjykatës, se janë depozituar dy kërkesa: një në Gjykatë të Lartë dhe një në Gjykatën e Shkallës së Parë për shqyrtimin e kërkesë padisë për kundërshtim të zgjatjes së afateve hetimore ndaj tyre edhe për një muaj. Pas kësaj kërkese, gjyqtari i çështjes, Sokol Tona, vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore të shtyjë për një afat të papërcaktuar shqyrtimin e kësaj kërkese nga Gjykata e Lartë. Sipas pretendimeve të dy të pandehurve të rrugës Rrëshen-Kalimash, Teliti e Toma, organi i akuzës ka bërë zgjatjen e afateve hetimore pa asnjë shkak ligjor.