E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim kinezit, trafikoi një makinë luksoze në Tiranë

Antitrafiqet e kryeqytetit bllokojnë tre makina luksoze, të cilat dyshohet se janë vjedhur jashtë  

TIRANË- Antitrafiqet e policisë së Tiranës, në “sulm” kundër automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit. Dy ditë më parë, specialistët e seksionit kundër trafiqeve sekuestruan në kryeqytet tre makina luksoze sepse pas verifikimit rezultojnë të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se u bllokua automjeti tip “Jeep”, me targë TR 1731 K, pasi rezulton i vjedhur në Itali. Gjatë momentit të bllokimit, mjeti drejtohej nga 38-vjeçari A. K., ndërsa ka filluar ndjekja penale për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”. Po dy ditë më parë u kryen veprimet proceduriale për automjetin tip “BMË X5”, me targë CE 583 NX. Burime policore bënë të ditur se ky mjet rezulton të jetë vjedhur në Itali dhe në momentin e bllokimit mjeti drejtohej nga 34-vjeçari F. D. Ndaj tij ka filluar ndjekja penale për veprat penale të “trafikimit të mjeteve motorike” dhe “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”. Gjithashtu gjatë operacionit për bllokimin e mjeteve të cilat rezultojnë të vjedhura jashtë vendit antitrafiqet konstatuan një tjetër mjet luksoz tip“Mercedes Benz E Clas”, me targë TR 6937 L i cili dyshohet të jetë vjedhur në Kroaci. Automjeti u bllokua teksa po qarkullonte në rrugën e “Elbasanit” në kryeqytet dhe drejtohej nga një qytetar i cili deklaroi se e kishte në përdorim të përkohshëm. Pas hetimeve të kryera nga specialistët e antitrafiqeve rezulton se ky automjet mund të jetë trafikuar nga shtetasi kinez Hao Hao Zecong Davei, për të cilin prokuroria ka marrë dosjen të dorëzim për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›