E Diel, 1 Nëntor 2026

KSHH: Burgu më i ri në vend, jashtë standardeve

Edhe pse është ndërtuar në maj të këtij viti, burgu i Fushë-Krujës shfaq problemet e para

TIRANË- Burgu i Fushë-Krujës, edhe pse i ndërtuar në muajin maj të këtij viti ka shfaqur probleme në kushtet e të dënuarve. Një fakt i tillë është konstatuar nga Komitetit Shqiptar i Helsinkit, i cili ka zhvilluar një inspektim në ambientet e këtij institucioni. Megjithëse një godinë e re dhe e propaganduar sipas standardeve evropiane, aty është konstatuar lagështirë e theksuar në dhomat e katit të parë dhe në ato të veçimit, një fakt ky mjaft shqetësues për të ardhmen e kësaj godine. KSHH ka konstatuar aty mungesë të ujit të rrjedhshëm si edhe mosfunksionimin e dusheve, gjë e cila kondiciononte larjen e të dënuarëve me ujë të ftohtë, faktor ky që nuk respekton normat minimale të higjienës. Në ambientet e ajrimit gjithashtu mungonin tualetet për të dënuarit si edhe në rast të kushteve të këqija atmosferike pengohej ushtrimi i së drejtës së ajrimit, për shkak të mungesës së ambienteve të mbuluara. Mbipopullimi është i theksuar edhe në këtë burg të ri, ku aktualisht janë konstatuar 39 persona mbi kapacitet, fakt ky i konstatuar në të gjitha burgjet e Shqipërisë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka bërë vëzhgime dhe ka konstatuar problematika edhe në dy institucione të tjera, në burgun e ”Shënkollit” dhe në burgun ”Ali Demi”. Më shqetësues paraqitej gjendja në burgun e grave, ku ambientet dhe kushtet e jetesës ishin totalisht jashtë standardeve. Pavarësisht vëzhgimeve, ajo që është për t’u shqetësuar lidhet me kushtet e këqija që kanë përfshirë një nga burgjet më të reja në vendin tonë, atë të Fushë -Krujës, i cili pretendohet si një nga burgjet me standarde të larta jetese dhe respektimi të të drejtave të burgosurve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›