E Diel, 1 Nëntor 2026

“Antimafia”, konfiskohet hoteli dhe 7 llogari bankare

Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur t’i kalojë shtetit pasurinë e Aleks Hatisë, të dënuar për trafikim droge, dhe të të afërmve të një tjetër të dënuari në Itali

Tiranë Në kuadër të ligjit “Antimafia”, Gjykata për Krime të Rënda vetëm gjatë këtij muaji ka vendosur konfiskimin e një sërë asetesh dhe llogarish bankare që kapin vlerën e qindramijëra eurove, pasi dyshohet se janë përfituar nga aktivitet i jashtëligjshëm. Sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, me vendim të gjyqtarit Gurali Brahimllari, janë konfiskuar duke kaluar përfundimisht në favor të shtetit: një hotel 5-katësh, sipërfaqe të konsiderueshme tokash, si dhe një numër i madh llogarish bankare, të cilat e kalojnë vlerën e 200 mijë eurove. Sipas gjykatës, bëhet me dije se është konfiskuar pasuria e Aleks Hatisë, i dënuar me 16 vjet burg si pjesë e një rrjeti narkotrafiku që transportonte heroinë nga Shqipëria drejt Italisë. Gjykata ka konfiskuar një godinë 5-katëshe me aktivitet “Bar-Restorant-Hotel” në pronësi të Hatisë, aktivitet ky i cili ndodhet në lagjen nr.13 në plazhin e Durrësit. Në këtë godinë që konfiskohet së bashku me pajisjet dhe aksesorët që ndodhen brenda saj, përfshin katin përdhes me aktivitet “Bar-Restorant” me sipërfaqe 511m2; Kati i parë; Kati II; Kati III dhe Kati IV me sipërfaqe prej 366 m2 secili kat, si dhe Kati V, papafingo e papërfunduar, me sipërfaqe 321 m2. Sipërfaqja totale e ndërtimit, që tashmë do të kalojë në favor të shtetit është 2 mijë e 296 metër katror. Gjykata ka vendosur të përjashtojë nga konfiskimi pjesën e bodrumit me aktivitet diskotekë, me sipërfaqe 282 m2, e cila mbetet në pronësi të Hatisë. Po gjyqtari Brahimllari, ka vendosur konfiskimin e një sërë llogarish bankare të Ymer dhe Adem Dakolit, respektivisht babai dhe vëllai i Ervin Dakolit, i arrestuar në Itali në vitin 2006 si pjesë e një grupi narko-trafiku të përbërë nga pesë persona. Gjatë hetimeve, në kuadër të ligjit antimafia, Prokuroria për Krime të Rënda ka mundur të provojë se një sërë llogarish dhe depozitash bankare në emër të të afërmve të Ervin Dakolit mund të kenë ardhur nga aktiviteti i shitjes së narkotikëve në Itali. Gjithashtu, Gjykata ka vendosur konfiskimin e sipërfaqes prej 1765 metër katrorë tokë dhe arrë në pronësi të familjes Dakoli. L.Bakillari

Llogaritë e konfiskuara

Llogari e çelur pranë Raiffeisen - Bank, në emër të shtetasit

Ymer Adem Dakoli, në shumën 20 660 euro

Llogari e çelur në emër të shtetasit Ymer Adem Dakoli, me 5 486 100 lekë

Llogari e Ymer Adem Dakoli, në shumën 15 000 000 lekë

Depozitë me afat, në shumën 11 000 000 lekë

Llogari e Adem Dakolit, në shumën 100 500 euro

Llogari e Ymer Adem Dakolit, 176 465 87 lekë

Llogari e Ymer Dakolit, në shumën 63 767 euro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›