Masakrimi i 42-vjeçares, shtyhet seanca e parë
Korçë- Shtyhet seanca e parë gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë për monstrën që masakroi 42-vjeçaren në gjumë. 78-vjeçari Gaqo Dumka, autori i vrasjes makabre të 42-vjeçares Liliana Arapi, është paraqitur i qetë në gjykatën juglindore, megjithëse asnjë familjar nuk është interesuar për të, ashtu sikundër dhe për viktimën nga ana tjetër. Ngjarja ka ndodhur disa muaj më parë në lagjen 4 të qytetit të Korçës. Gjatë paradites së të mërkurës ishte parashikuar të zhvillohej seanca e parë e gjykimit të Dumkës, krim që tronditi qytetin e Korçës për veprën e tij të përgjakshme. Me një sëpatë, i moshuari vrau në gjumë gruan që bashkëjetonte prej 3 vjetësh, për ta copëtuar atë në dhjetëra pjesë. Me qetësinë më të madhe, ai ka futur pjesët e trupit të saj në qese të zeza plastmasi dhe i ka hedhur ato në vendin e mbetjeve urbane rreth 1 kilometër larg Korçës. Kalimtarë të rastit kanë gjetur gjymtyrët e gruas dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila është vënë në kërkim të identifikimit të viktimës. Pas disa ditë kërkimesh është bërë i qartë emri i viktimës, duke konstatuar se ajo ishte Liliana Arapi, nga qyteti i Bilishtit. Pas identifikimit të pjesëve të masakruara të trupit të mbetur, u ushtrua një kontroll në banesën e Dumkës. Gjithë tabloja në banesën e të moshuarit fliste për ngjarjen e ndodhur. Gjurmët e gjakut dalloheshin kudo deri edhe në pantoflat e të moshuarit. Në fillim, vrasësi krejt gjakftohtë mohoi se e kish kryer krimin, ndërsa më vonë e pranoi se kishte vrarë pasi ajo i kish prishur një sasi të konsiderueshme lekësh. Edhe pse koka e 42-vjeçares nuk u gjend asnjëherë, trupi i saj u varros në Bilisht nga familjarët e saj. Seanca e parë gjyqësore, në të cilën pritej që Dumka të jepte shpjegimet e tij, nuk u zhvillua mbasi mungonte njëri prej anëtarëve të trupit gjykues. Dumka, gjatë qëndrimit të shkurtër në gjykatë ndihej tepër i qetë dhe të bënte përshtypje kujdesi i treguar ndaj rrobave që kishte veshur. Në seancë mungonin familjarët e Dumkës, si dhe familjarët e viktimës Liliana Arapi. I.Vreto