E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antimafia, ligji hyn në fuqi

Ligji antimafia hyri në fuqi. Duke filluar nga dita e djeshme, institucionet e vendosjes së rendit kanë të drejtë të ndjekin një praktikë të re për ndalimin e pastrimit të parave të krimit të organizuar. Ky ligj, tepër i debatuar në kohën e miratimit dhe shqyrtimit të tij, parashikon që policia apo prokuroria ndërhyn në momentin që sheh se diçka nuk shkon, edhe pse provat nuk janë të mjaftueshme. Konkretisht, nëse një individ shihet se bën një jetë të shtrenjtë pa justifikime, prokuroria mund të ndërhyjë duke i kërkuar atij shpjegime dhe në raste të veçanta edhe konfiskime të pasurisë pa pritur vendime gjykatash.
Ligji antimafia
Sipas ligjit, në hetim përfshihen edhe bashkëshortet, fëmijët e lindur të paslindur, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, nusja, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri. Hetimi nisi edhe për persona fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, kanë lehtësuar apo jo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të paligjshme. Masa të tilla parandaluese mund të kërkohen edhe ndaj trashëgimtarëve, subjekt i këtij ligji, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes. Sipas ligjit, është sanksionuar se sekuestrimi i pasurive realizohet nga gjykata me kërkesë të motivuar nga prokuroria. Ligji zbatohet dhe për pasuritë e personave të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kusht që pasuritë të jenë vënë gjatë përfshirjes së dyshuar të tij në veprimtaritë kriminale. Miratimi i draftit “Antimafia” është bërë objekt debatesh dhe kundërshtimesh, ku opozita e ka cilësuar si ligj që shkel të drejtat e njeriut. Shkak për këtë është shtimi i kompetencave të organit të akuzës për të vendosur sekuestro mbi prona, poseduesit e të cilave nuk arrijnë të justifikojnë origjinën e ligjshme të tyre. Po kështu, përfaqësuesve të akuzës u jepet kompetencë për të pasur objekt të tyre çdo person, ku niveli i të ardhurave të tij nuk justifikon shpenzimet e shumta, llogaritë bankare apo standardet e një jetese luksoze. Duke huazuar dhe përshtatur praktika të vendeve të zhvilluara në këtë drejtim, sipas ligjit “Antimafia”, tashmë parashikohet se mosjustifikimi i të ardhurave për ngritjen e aseteve mund të sjellë konfiskimin e menjëhershëm të pronave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›