E Diel, 1 Nëntor 2026

Të drejtat e homoseksualëve, Kuvendi nis shqyrtimin e ligjit

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë do të nisë sot diskutimin e ligjit kundër diskriminimit, i cili ka ardhur në Kuvend si nismë e disa deputetëve të djathtë. Kjo nismë ligjore mbron qytetarët me orientim të caktuar seksual, por nuk u jep të drejtën atyre të lidhin martesë me ligj. Sot në komision do të nisë debati në lidhje me këtë nismë ligjore, ku krahas deputetëve, do të jenë të pranishëm edhe ekspertë të qeverisë për të diskutuar. Ndryshe nga sa u paraqit fillimisht, projektligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” parashikon mbrojtjen ligjore të homoseksualëve, por nuk shpreh se do të lejojë martesat brenda gjinisë. Deputetët e shumicës, Mark Marku, Rajmonda Bulku, Paulin Stërkaj, Selami Xhepa, Viktor Gumi dhe Nasip Naço kanë depozituar projektligjin kundër diskriminimit, duke synuar kështu dhe plotësimin e standardit të vendosur si pjesë e direktivës së Komisionit Evropian. Në nenin një të projektligjit thuhet se “ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, besimet politike fetare ose filozofike, statusin ekonomik, arsimor ose shoqëror, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, statusin shëndetësor, predispozicionet gjenetike, paaftësinë, përkatësinë në një grup të veçantë ose me çdo shkak tjetër”. Ligji mbron këta persona nga diskriminimi në çdo fushë të jetës, si punësimi, arsimi apo qoftë edhe hyrja në politikë apo për t’u emëruar në detyra të rëndësishme publike.
Drafti parashikon ngritjen e një Komisioni, Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, i cili do të shqyrtojë të gjitha ankesat që kanë të bëjnë me personat e veçantë, që lidhet me diskriminimin që parashikohen në nenin 1 të këtij projekti. Komisioneri do të ndihmohet nga të paktën një zv.komisioner si dhe tre ekspertë. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi me një shumicë të thjeshtë të deputetëve dhe ka një mandat pesëvjeçar. Komisioneri paraqet një raport të paktën një herë në vit përpara komisioneve të Kuvendit.
Nisma ligjore përmban edhe masa në rast se shkelet ligji dhe vërtetohet se personat e këtyre kategorive diskriminohen. Në rast se diskriminimi ushtrohet nga zyrtarët e administratës shtetërore, gjoba maksimale e vendosjes është 1 milion lekë të rinj, ndërsa gjoba maksimale ndaj bizneseve dhe institucioneve joqeveritare është 10 milionë lekë të rinj. Gjoba minimale është 20 mijë lekë të rinj. Vendimi për vënien e një mase ndëshkimore me gjobë, cakton gjithashtu dhe afatin e arsyeshëm brenda së cilës paguhet gjoba. “Si mjet i fundit, veçanërisht kur shkelësi nuk i përmbahet vendimit të Komisionerit ose nuk e paguan gjobën brenda tre muajve pas afatit të caktuar nga Komisioneri dhe sanksioni nuk është kundërshtuar në gjykatë, Komisioneri mund t’u kërkojë autoriteteve kompetence heqjen apo pezullimin e lejes ose autorizimit të shkelësit për ta ushtruar veprimtarinë e tij. Shkelësi, ndaj të cilit merret masa ndëshkimore me gjobë ka të drejtë të ankohet në gjykatën kompetente sipas Kodit të Procedurës Civile”, - thuhet në pikën 15 dhe 16 të nenit 33.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›