E Diel, 1 Nëntor 2026

Antimafia, prokurorët e gjyqtarët debatojnë për të metat e ligjit

Përfaqësues të EURALIUS, UPDAT-it dhe të ambasadës së SHBA-së “mësojnë” shqiptarët për zbatimin

Ligji i ri “Antimafie” fillon zbatimet në “terren”, ndërsa Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda po “përgatiten” për zbatimin e tij. Misionet e huaja kanë zhvilluar dje një seminar me gjyqtarë dhe prokurorë të krimit ekonomik, ndërsa kanë dhënë edhe “mësimet” e para. Përfaqësues të misioneve të huaja të EURALIUS dhe UPDAT-it, si edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së kanë diskutuar për problemet dhe risitë që mund të hasë ky ligj në zbatimin e tij. Burime nga Gjykata e Krimeve të Rënda deklaruan se është diskutuar edhe për problemet e ligjit, ndërsa janë marrë mendime për grupet që mund të preken nga ky ligj shumë i debatuar. Disa javë më parë, shteti shqiptar legalizoi ligjin e ri “Antimafie”, që u sekuestron pasurinë shtetasve që dyshohet se merren me krim të organizuar dhe pastrim parash, edhe nëse ndaj tyre nuk ka një procedim penal. Në datën 24 dhjetor, ligji në fjalë është botuar në Fletoren Zyrtare me numër 181, duke sjellë një risi në legjislacionin shqiptar, pasi tashmë të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë duhet të kenë frikë për pasuritë që kanë vënë në “të zezë” gjatë viteve të tranzicionit. Tashmë mjafton që një punonjës i policisë apo i prokurorisë të hartojë dy-tri letra, të bazuara në indicie, se merresh me krim të organizuar apo me pastrim parash dhe pasuria, shtëpia apo objekte të tjera do të bllokohen. Edhe nëse pushohet hetimi, sekuestrimi do të vazhdojë. Në këtë rast barra e provës i atribuohet personit të akuzuar dhe jo institucioneve të drejtësisë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se Fletorja Zyrtare ka mbërritur në prokurori dhe tashmë po pritet afati 30-ditor i hyrjes në fuqi të ligjit për të vepruar konkretisht. Sipas të dhënave, ligji në fjalë hyn zyrtarisht në fuqi në datën 24 janar. Megjithatë, të dhënat e marra nga policia flasin se janë përgatitur dosjet e para që do të hetojë prokuroria.
Pas diskutimeve me ndërkombëtarët, zyra e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda po punon për rivlerësimin e masave të sekuestros ndaj disa të pandehurve që janë në proces hetimi dhe gjykimi. Sipas të dhënave nga akuza qendrore, ligji i ri “Antimafie” do të prekë një pjesë të mirë të dosjeve që ndodhen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në njësitë antikorrupsion. Sipas të dhënave nga prokuroria, mund të preken edhe dosjet që janë nën hetim, që nuk ka filluar procedimi penal dhe dosjet që janë pushuar apo që ka vendosur gjykata pafajësi. Mjafton që të jenë hetuar apo gjykuar për krim të organizuar e pastrim parash dhe do të bëhen objekt i këtij ligji. Megjithatë, ende ligji konsiderohet me probleme, pasi janë disa nene të debatuara.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›