Vritet në qendër të Fierit endacakja
Ish-mësuesja që flinte rrugëve u gjet pa jetë në mëngjes, me tre plagë thike në trup
Një endacake është gjetur e vrarë mëngjesin e së martës në Fier. Kanë qenë kalimtarë të rastësishëm ata që kanë njoftuar policinë për vendndodhjen e gruas. Ekspertizat mjekoligjore kanë verifikuar se vdekja është shkaktuar nga tri plagë të thella, që mendohet të jenë bërë nga një thikë. Policia po heton për gjetjen e autorit apo autorëve të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që mësohet se një i sëmurë mendor që endet rrugëve të Fierit dhe të fshatrave të tij është shoqëruar si autor i dyshuar. Zyrtarisht nuk është deklaruar se ky është autori, ndërkohë që janë marrë në pyetje edhe disa endacakë të tjerë. Viktima është Myrvete Abilaj, një e sëmurë mendore që prej vitesh endej rrugëve të qytetit.
Ka qenë ora 06:30 e mëngjesit të së martës kur kalimtarë të rastësishëm të qendrës së qytetit kanë njoftuar policinë lokale se në stolin pranë Zyrës Postare Nr.2 ku ndahen pensionet e të moshuarve, ishte shtrirë një person i mbuluar nga gjaku.
Faktin e kanë denoncuar dhe tre fëmijë të moshës 12-18 vjeç, të cilët kanë parë kufomën. Brenda pak minutash drejt vendit të sinjalizuar ka mbërritur policia, e cila ka bërë transportin e viktimës drejt morgut të spitalit të Fierit, ndërkohë që ka siguruar dëshmitë e para nga personat që e njoftuan si dhe personat e tjerë që kanë aktivitet tregtar pranë vendit ku u gjet e vrarë endacakja. Ekspertizat mjekoligjore që kanë zgjatur për më tepër se tri orë kanë treguar se në trupin e Myrvete Abilajt përveç hematomave të shkaktuara nga goditja me mjete të forta, ndodheshin edhe tri plagë të shkaktuara nga goditja me mjet të mprehtë në këmbë dhe në bark.
Ndërkohë, një shoqe e vajzës së viktimës ka deklaruar se: “E dija që Myrvetja flinte javëve të fundit te sporteli i shpërndarjes së pensioneve. Isha duke ikur për në punë kur dëgjova tre fëmijë të vegjël se ishte vrarë endacakja që flinte te dera e pensioneve dhe njoftova vajzën e saj, Adrianën. Edhe pse jam marrë në pyetje nga policia nuk di asgjë më tepër për këtë ngjarje”. Pranë morgut të spitalit rajonal Fier në mesditë janë paraqitur edhe të afërm të viktimës. “Ajo ishte e sëmurë mendore. Shteti le të gjejë autorin apo autorët.
Edhe pse shteti nuk i ofronte strehë në një spital të specializuar ka përgjegjësi për jetën e saj”, tha një nga familjarët për gazetën “Shqip”. Ndërkaq, burime nga grupi i hetimit pohojnë se vrasja e endacakes mund të jetë bërë nga endacakë të tjerë. Deri tani policia është përqendruar në dy pista hetimi. Rreth mesditës, uniformat blu kanë shoqëruar një person me të meta mendore, i cili endet rrugëve të Fierit dhe të fshatrave pranë. Sipas policisë, shkaku i shoqërimit të këtij personi ka qenë karakteri i tij i dhunshëm në rrugë. Personi i shoqëruar është gjetur duke ecur në këmbë në një rrugë rurale që të çon nga Fier në drejtim të Cakranit. Megjithëse policia ende nuk ka deklaruar zyrtarisht nëse endacaku është autor i dyshuar i vrasjes, burime të tjera tregojnë se vrasja mund të jetë kryer edhe nga disa endacakë romë, që janë parë të lëvizin gjatë orëve të natës nëpër rrugët e qytetit.
Myrvete Abilaj me arsim të lartë për mësuesi rrjedh nga një prej familjeve autoktone fierake. Ajo është nëna e tre fëmijëve. Sipas të afërmve të saj mësohet se kur dy djemtë dhe vajza e saj ishin të vegjël Myrvetja u braktis nga bashkëshorti. Kjo braktisje ndikoi në shëndetin mendor të Myrvetes, e cila ishte e njohur si një nga mësueset më të mira të shkollës “Andon Xoxa” të qytetit. Por ajo nuk u kurua asnjëherë për problemet që shfaqte. Ajo kishte një banesë në lagjen “29 Nëntori”, por endej dhe flinte rrugëve prej disa kohësh. Ashtu bëri edhe një natë më parë kur u shtri të flinte në “strehën” e krijuar prej javësh në një nga sportelet e shpërndarjes së pensioneve. Mungesa e një qendre pritjeje për personat me probleme mendore, shumë prej të cilëve janë edhe agresivë, ka bërë që në rrugët e qytetit të shohësh shumë të tillë.
#