Shkodër, të përmbyturit kërkojnë ekspertët

Të kthyer në shtëpi, duan vlerësim dhe pagim të shpejtë të dëmeve që u janë shkaktuar
Pas ikjes së ujit nga pjesa më e madhe e zonës së Nënshkodrës, banorët e dëmtuar nga përmbytjet bëjnë apel të nisë ardhja e ekspertëve për të evidentuar dëmet dhe më pas nisjen e dëmshpërblimeve. Për fermerët, po kaq urgjent është edhe sigurimi me bazë ushqimore për bagëtitë. Ndërkohë, në qytet mbeten problem serioz shpërthimi i ujërave të zeza. Banorët e lagjeve periferike të Shkodrës, që u përmbytën nga dalja e shtatit të lumit të Bunës ankohen për erën e keqe dhe kanë frikë se do të preken nga epidemitë. Ndonëse u premtua se do të niste dezinfektimi i zonës, ende nuk ka filluar ndonjë aksion nga autoritetet vendore.
Ndërkaq uji është larguar nga pjesa më e madhe e komunave të Qarkut të Shkodrës. Situata mbetet problematike vetëm në Komunën e Dajçit, ku 450 shtëpi mbeten ende të mbuluara nga uji.
Ndërkohë që në pjesën më të madhe të komunave të përmbytura ka nisur kthimi i banorëve në shtëpitë e tyre.
Banorët shprehen se ekspertët duhet të marrin sa më shpejt masa për dëmshpërblimin e dëmeve që u janë shkaktuar. Pjetër Daragjati, banor i fshatit Darragjat, na thotë se “tashmë që uji ka ikur, problem mbetet ushqimi për bagëtitë. Na kanë sjellë ushqim për pak ditë, por ne na është shkatërruar e gjithë rezerva ushqimore. Prandaj na duhet të paktën tre muaj ushqim për bagëtitë, derisa toka jonë të bëhet për t’u mbjellë sërish. Ende nuk ka ardhur njeri të na pyesë çfarë dëmi kemi pasur”.
Ndërsa Ramiz Kosi, banor i lagjes “Bahçallëk” thotë se “nuk kam marrë asnjë ndihmë, uji më ka dëmtuar punishten ku punoj si marangoz. Në shtëpi më janë dëmtuar të gjitha pajisjet shtëpiake, askush nuk ka ardhur të pyesë çfarë dëmesh kemi pësuar. Unë nuk jam keq për të ngrënë e për të sjellë batanije, duam të na kthejnë në para çfarë dëmesh kemi pësuar”.
Ndërsa në nga banorët e zonës së Livadeve, Tofik Arazi, thotë: “Fëmijët e mi vazhdojnë të qëndrojnë në hotel, aty ku i ka vendosur shteti, pasi në shtëpi nuk mund të jetohet. Uji ka ikur por ka lënë pas mbeturina dhe ujëra të zeza, kështu që në shtëpi nuk mund të rrihet prej erës së keqe. Po presim të vijnë njerëzit e shtetit për të verifikuar dëmin dhe për të na bërë shtëpitë e banueshme, pasi këtu nuk jetohet më”.
#