E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia u mbyll dert taksive shqiptare

Fqinjët ndryshojnë rregullat, duke detyruar taksistët të braktisin linjat ndërkufitare
Taksistëve shqiptarë u krijohen pengesa për të punuar në territorin grek, ndërsa taksistët grekë hyjnë lirisht në Shqipëri. Taksive të Korçës, që më parë punonin edhe në linjat e Greqisë, prej muajsh nuk u lejohet të kalojnë kufirin pa plotësuar një sërë dokumentesh që kërkojnë shumë para dhe kohë. Taksitë ndalohen në doganë dhe nëse nuk kanë plotësuar kushtet e reja të vendosura nga qeveria greke përmes Ministrisë së Transportit. Tashmë një pasagjer që kërkon të udhëtojë me taksi për në Greqi duhet të njoftojë disa ditë më parë taksistin, që ky i fundit të ketë kohë për të plotësuar dokumentet sipas urdhrit të ri. Bujar Raba, një nga taksistët korçarë që më parë punonte kryesisht në linja ndërkufitare, thotë se me urdhrin e ri të gjithë drejtuesit e këtyre mjeteve kanë ndërprerë shërbimet. “Kemi disa muaj që kemi pezulluar punën, pasi urdhri është disi absurd. Për çdo udhëtim duhet të bëjmë dokumente të reja, të cilat duhet t’i vulosim në Ministrinë tonë të Jashtme, në konsullatën greke dhe pastaj t’i noterizojmë. Kjo do të thotë se në rast se duhet të kryejmë një shërbim taksi nuk e ofrojmë dot në kohën e duhur. Nëse një pasagjer kërkon ta çoj në Selanik fjala bie, duhet t’i them të presë derisa të plotësoj dokumentet. Në rastin më të mirë vonohemi tri ditë, pasi ndodh që noterët e përkthyesit nuk i gjejmë në kohë”, thotë taksisti Bujar Raba. Urdhri i Ministrisë greke të Transportit i ka mbërritur doganës në gusht të vitit të kaluar dhe sipas të dhënave ka hyrë në zbatim në shtator. Nga kjo kohë, taksistët e Korçës kanë pezulluar punën, pasi, sipas tyre për një rrugë drejt Greqisë nuk fitojnë më shumë se 10 euro, ndërsa në rast se destinacioni është një nga qytetet afër kufirit nuk ka asnjë fitim.
Dokumentet
Për një kalim të kufirit, taksisti duhet të paguajë të paktën 60 euro vetëm për dokumentacionin, të ndara në tri mandate që i kalojnë konsullatës greke. Për çdo dokument paguhet për vulën taksa prej 20 eurosh. Kjo kosto u shtohet parave që taksistët duhet të paguajnë për përkthimin dhe noterizimin e dokumenteve, për marrjen e vulës pranë prefekturës, më pas për dërgesën postare për legalizim në Ministrinë e Jashtme, përmes së cilës dosja me dokumentet i kalon konsullatës. Pra, për një shërbim taksi drejt Greqisë procedura është jo vetëm e gjatë dhe kërkon kohë, por, nga ana tjetër, ka edhe një kosto që shkon deri në 70 euro. Një prej taksistëve, që deri disa muaj më parë punonte me linjën e Greqisë, I.M., tregon se si procedohet. “Për çdo kalim të shërbimit taksi në doganën greke duhet të ndiqet kjo procedurë. Fotokopjojmë tri dokumentet kryesore: lejen e qarkullimit, dëshminë e taksistit dhe licencën e dhënë për ushtrimin e aktivitetit nga ana e bashkisë. Këto përkthehen në greqisht dhe noterizohen që të vërtetojnë se janë të njëjta me origjinalin. Më pas dërgohen për vulë në prefekturë dhe çohen për legalizim me postë në Ministrinë e Jashtme. Më pas i kalojnë konsullatës greke që duhet t’i vulosë. Për një vulë në konsullatë paguhet një mandat prej 20 eurosh, pra për tri dokumente 60 euro. Me këto dokumente paraqitemi në kufi. Dogana greke gjatë kalimit mban fotokopjet e këtyre akteve të noterizuara, legalizuara dhe me vula konsullore. Në udhëtimin tjetër duhet të përsërisim të njëjtën procedurë”, tregon taksisti I. M. Edhe pse kanë një vizë dhe dokumente që vërtetojnë aktivitetin e tyre në shërbimin taksi, pa plotësuar këto kushte të vendosura nga Ministria e Transporteve e Greqisë taksistët shqiptarë nuk mund ta kalojnë kufirin.
Paradoksi
Në një kohë që taksitë shqiptare heqin “të zitë e ullirit” për një kalim në doganën greke, e kundërta ndodh me taksitë greke. Këto të fundit sjellin dhe marrin pasagjerë në kufi pa pasur asnjë pengesë, madje procedurat janë lehtësuese në të dyja anët e kufirit. Urdhri që ka pakësuar lëvizjen e taksive shqiptare ka shtuar taksitë greke, që në këtë rast përfitojnë edhe shërbimet që mund t’i kryenin shqiptarët. Sipas autoriteteve tona doganore, urdhri zbatohet në pjesën e doganës greke dhe në rast se tolerohet kalimi në sportel nga policia kufitare greke, kjo nuk lejohet nga dogana. “Për palën shqiptare nuk ka një urdhër që të pengojë taksitë për arsye të dokumenteve. Problemi qëndron në doganën greke. Ka pasur një rënie të lëvizjes së taksive në kufi pas këtij urdhri”, thotë një zyrtar i doganës shqiptare të Kapshticës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›