Nxjerrja e gurëve dekorativë
Berat
Gjoba pesë firmave, nuk sigurojnë kushte teknike pune
Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në malin Tomor ku një punëtor mbeti i plagosur rëndë si pasojë e shkëputjes së një masivi dheu dhe gurësh, burime nga Drejtoria e Tatim-Taksave në Berat bëjnë me dije se në vazhdimësi firmat e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit dekorativ kanë qenë në monitorim. Sipas burimeve nga kjo drejtori në fund të vitit 2009 të gjitha firmat që operojnë për nxjerrjen e gurit kanë kaluar në sitën e hetimeve të inspektorëve të tatimeve ku dhe ka rezultuar se disa nga këto firma nuk ofrojnë kushte teknike për punëtorët e tyre dhe këta të fundit nuk i sigurojnë të gjithë në degën e sigurimeve shoqërore. Sipas të njëjtave burime për rastin e plagosjes së punëtorit Gramoz Qamo, ngjarje kjo e ndodhur dy ditë më parë inspektorët kanë verifikuar se ai nuk ishte punësuar në ndonjë nga firmat që veprojnë në këtë zonë, por dhe pse punonte privatisht në një punë që konsiderohet e vështirë nuk ishte siguruar për jetën. Ndërkaq, nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se pesë nga 16 firmat e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit dekorativ nuk sigurojnë një pjesë të punëtorëve të tyre dhe nuk sigurojnë kushtet teknike të punës. Për këto shkelje ligjore pese firmat private që mbajnë në punë punonjës të pasiguruar, por dhe nuk ofrojnë kushtet teknike në punë u janë vendosur gjoba prej 500 mijë lekësh. Ndërsa një firmë është ende nën hetim nga ana e prokurorisë, pasi në muajin qershor të vitit të kaluar dy punëtorë të saj humbën jetën si pasojë e mungesës së kushteve teknike dhe ishin të pasiguruar. Por, dhe pse kontrollet nuk kanë munguar dhe shumë gjoba janë vendosur punëtorët e nxjerrjes së gurit dekorativ vazhdojnë të punojnë në kushte pune të vështira dhe të pasiguruar.
#