E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Antimafia”, shkrin akullin Rama-Basha

05/02/2010  Kryeprokurorja dhe ministri janë takuar dje me qëllim forcimin e bashkëpunimit Polici-Prokurori
Diskutohet hetimi i aseteve të krimit, ligji për OPGJ-në dhe rihapja e dosjeve të krimeve të vjetra
TIRANE-Thellimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe vënia në zbatim e ligjit antimafia ka ulur në një tavolinë kryeprokuroren e vendit Ina Rama dhe ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, të cilët kanë shkëmbyer mesazhe lidhur me bashkëpunimin e mëtejshëm të këtyre dy institucioneve. Gjatë takimit që zgjati për rreth një orë u evidentuan fushat kryesore ku nevojitet thellimi i bashkëpunimit mes strukturave të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Prokurorja e Përgjithshme Rama dhe ministri i Brendshëm Basha shprehën angazhimin e plotë për të nxitur dhe inkurajuar një bashkëpunim sa më intensiv polici-prokurori në luftën kundër krimit të organizuar. Veç të tjerash prioritet, i është dhënë edhe rihapja e disa çështjeve të vjetra, ku kohët e fundit kjo moto thuajse është harruar fare nga policia dhe Prokuroria. Në takim u diskutua si një çështje e veçantë edhe projektligji i ri i përgatitur për Policinë Gjyqësore dhe modalitetet përkatëse të tij. Kryeprokurorja Rama dhe ministri Basha diskutuan gjithashtu për përcaktimin e detyrave konkrete për strukturat e hetimit të policisë dhe Prokurorisë për zbatimin e ligjit antimafia, një instrument shumë i rëndësishëm ligjor për të goditur krimin e organizuar dhe asetet e tij ekonomiko-financiare. Pritet që në ditët në vazhdim dy institucionet të fillojnë zbatimin e tij në terren, ku mësohet se aktualisht janë piketuar edhe dosjet e para që do të kalojnë në skanerin e këtij ligji. Krahas luftës së vazhdueshme kundër kriminalitetit, trafiqeve të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore, strukturat hetimore të policisë dhe Prokurorisë do të thellojnë bashkëpunimin edhe për hetimin dhe zbulimin e krimeve të vjetra. Veç të tjerash gjatë takimit mes Prokurores së Përgjithshme Rama dhe ministrit të Brendshëm Basha u ra dakord edhe mbi procesin e trajnimeve të përbashkëta të prokurorëve dhe të oficerëve të Policisë Gjyqësore. Takimi u shoqërua edhe me pjesëmarrjen e Drejtorit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, Sokol Stojani, Drejtorit të Inspektimit Arben Dollapi, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe Drejtorit të Hetimit të Krimit të Organizuar, Agron Kuliçaj.
Ligji antimafia
Projektligji i miratuar nga Parlamenti ka bërë që mes policisë dhe Prokurorisë të shkrijnë akujt dhe dy palët të ulen në një tryezë për të bashkëpunuar lidhur me thellimin e luftës kundër krimit të organizuar. Të dyja palët, mësohet të kenë rënë dakord për riorganizimin e sektorit të hetimit të pasurisë.
Ligji për OPGJ-në
Në vëmendje të takimit Rama-Basha ka qenë edhe drafti i ri që po hartohet nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë. Mësohet se palët kanë rënë dakord për implementimin e memorandumit që ekziston mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme, ku prokurori drejton hetimet për një çështje penale.
Kërkohet hartimi i planit kombëtar për policimin modern në zonat urbane
Basha-Lohan: Policia të rrisë shërbimin në komunitet
Policia të punojë me shërbimet sociale, të zgjidhë problemet e qytetarëve
TIRANE- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i kërkoi të gjithë efektivave të policisë, që gjatë ushtrimit të detyrës së tyre të jenë sa më afër komunitetit, si dhe të referojnë sa më mirë problemet e paraqitura nga qytetarët. Kjo gjë u vu në dukje gjatë mbledhjes së Konferencës Kombëtare për Sigurinë e Komunitetit, ku të pranishëm në takim ishin Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë Helmut Lohan, Drejtori i Përgjithshëm Hysni Burgaj, zv/ministrat e Brendshëm Poni dhe Peka e të tjerë. Gjatë fjalimit të tij Basha i kërkoi drejtorit Burgaj që të rikonceptojë punën e Policisë së Shtetit në bazë të strategjisë së policimit në komunitet. “Të rikonceptojmë të gjitha komisariatet e policisë anembanë vendit jo si pika mbledhjeje, reparte, qendra shpërndarjeje, por në radhë të parë si qendra pritjeje për qytetarët me të gjitha lehtësitë ku qytetari të ndihet i mirëpritur nëse vjen për të denoncuar një shkelje apo për të paraqitur një problem”,- u shpreh Basha. Gjithashtu ai parashtroi nevojën e bashkëpunimit të ngushtë të Policisë së Shtetit me shërbimet sociale, kërkimin e ndihmës së punonjësve socialë apo psikologëve për referimin sa më mirë të problemeve të paraqitura nga qytetarët. Për këtë Basha kërkoi nga drejtuesit e komisariateve që të konsiderojnë pjesë të pandarë të aktivitetit, kontaktin e organizuar me komunitetin, në shkolla në ambiente të tjera, kontakt i cili duhet të ketë në qendër qytetarin, shqetësimet dhe problemet specifike të tij. Ndërkohë që kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian Helmut Lohan, theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes policisë dhe autoriteteve të pushtetit vendor, duke e paraqitur edhe si një ftesë të qartë të mbështetur nga Komuniteti Evropian. Sipas Lohan, bashkëpunimi ndihmon në arritjen e zgjidhjeve praktike, krijon një mjedis të sigurt për bizneset dhe ekonominë e vendit dhe në të njëjtën kohë realizon një zhvillim të mirë brenda zonave të banimit.
Drejtori Hysni Burgaj
Gjatë zhvillimit të konferencës Hysni Burgaj, ka përmendur një sërë kriteresh që Policia e Shtetit, ka ndërmarrë për të qenë sa më afër komunitetit. Burgaj theksoi se në të gjitha stacionet e policisë janë krijuar kushte dhe takime të ndryshme, në mënyrë që qytetarët mos e shikojnë policinë si një institucion negativ, por tek ta të krijohet ideja e një partneriteti midis tyre. Sipas Burgaj, cilësia e shërbimit është rritur duke plotësuar standardet e Bashkimit Evropian dhe është përpjekur maksimalisht për shmangien e dhunës fizike apo psikologjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›