Tragjedia e Otrantos, News24 siguron pamje të anijes “Kateri i Rades”
TIRANE- 13 vjet nga tragjedia e Otrantos, aty ku dhjetëra jetë njerëzish u shuan përgjithnjë, aksidenti fatal në ujrat territoriale italiane kujtohet edhe sot. Por ndërsa dhimbja gërryen shpirtrat e njerëzve që humbën të afërmit, News24 sjell anën tjetër të historisë. Anija "Kater i Rades", në bordin e të cilës në vitin 1997 udhëtonin 120 klandestinë shqiptarë gjendet e braktisur plotësisht në brendësi të zonës së Forte a Mare. Në fakt, ajo është kthyer në një mall për vandalët dhe hajdutët, si një hedhurinë e vjetër ndërsa askush nuk është kujtuar nëse anija mund të kthehej në një objekt monumenti për emigracionin në nderim të viktimave. Për vite me radhë, që prej tragjedisë, familjarët e viktimave mblidhen buzë detit dhe hedhin lule në tyre. Ishte nata e 28 marsit të vitit 1997, kur anija shqiptare "Kater i Rades" me 120 persona në bord, kishte arritur të hynte në ujërat territoriale italiane. Pak pasi i ishte afruar brigjeve të Otrantos në Itali, ajo u përplas me anijen luftarake italiane, "Sibilla". Çarja e krijuar në anijen shqiptare solli mbushjen e saj me ujë. Në këto kushte, anija u përmbys dhe bashkë me të humbën jetën të paktën 84 shqiptarë (kryesisht nga Vlora), mes të cilëve gra e fëmijë. Trupat e 24 prej tyre ende nuk janë gjetur. Tragjedia e Otrantos është cilësuar si ngjarja më e rëndë që preku shumë familje vlonjate dhe nga qytete të tjera të vendit. (e.n/News24/BalkanWeb)