Beqaj bëhet çështje, rrezikon me Maltën
Jetmir halilaj
Arjan Beqaj është shndërruar në çështje tashmë. Portieri i Kombëtares shqiptare, një nga pikat më të forta të kuqezinjve këtë edicion, rrezikon të mos luajë ndaj Maltës. Gardiani kuqezi ishte drejt rikuperimit të plotë, por të premten ka pësuar një tjetër dëmtim duke alarmuar jo vetëm klubin e Anorthosit, por edhe stafin kuqezi. Ndërkaq, sipas medias qipriote, Beqaj është shumë i mërzitur dhe i frikësuar njëkohësisht. Sipas “protathlima.com.cy”, portieri shqiptar edhe stërvitjet i kryen me shumë frikë, pasi i trembet një tjetër komplikacioni në gju. “Panorama” u përpoq të kontakte dje me futbollistin, por 32-vjeçari nuk ka preferuar të përgjigjet në telefon, duke lënë të kuptohet se është tejet i mërzitur dhe rrezikon që të mos luajë ndaj Maltës më 11 shkurt, që cilësohet një ndeshje tejet e rëndësishme për të ardhmen e kuqezinjve në këtë edicion.
Federata
Beqaj nuk ka njoftuar në Federatë nëse do të mund të jetë në dispozicion të teknikut Ari Han për ndeshjen e radhës. Burime pranë FSHF-së pohuan se Beqaj nuk ka komunikuar për dëmtimin e radhës dhe nuk ka shpjeguar nëse bëhet fjalë për ndonjë dëmtim të rëndë, apo thjesht do të qëndrojë edhe disa ditë të tjera jashtë fushave. Ndërkohë që edhe në Federatë janë të shqetësuar që gardiani kuqezi nuk arriti të luante as këtë javë me skuadrën e tij Anorthosin, e cila fitoi në transfertë të shtunën me rezultatin 3-0 ndaj APOP-ut.
Zëvendësuesi
Isli Hidi, portieri shqiptar që para disa ditëve u rikthye te ukrainasit e Krivbasit, është kandidati kryesor për të zënë vendin e Arjan Beqajt, nëse ky i fundit nuk do t’ia dalë mbanë deri më 11 shkurt. Një tjetër kandidat është edhe Samir Ujkani, i cili luan te Palermo, por ka pak gjasa që Ari Han t’ia besojë atij kuadratin kuqezi në sfidën delikate ndaj Maltës. Ilion Lika, me shumë mundësi nuk do të grumbullohet në këtë takim, edhe për shkak se disa ditë më parë pësoi një dëmtim.
Ari Han
Trajneri i Kombëtares shqiptare pritet të vijë nesër në Tiranë, ku përveçse do të shohë të mërkurën derbin Partizani-Dinamo, do të përpilojë edhe listën e lojtarëve që do të grumbullojë për takimin e radhës kundër Maltës. Tekniku e ka cilësuar këtë ndeshje si më të rëndësishmen e edicionit.