E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Komisione hetimore për aferat korruptive Rama-Berisha

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se kjo parti do të ngrejë dy komisione hetimore në këshillin bashkiak të Tiranës dhe në Parlament. 

 “Ky skandal është kulmi i kapjes së shtetit nga Rama dhe Berisha, sepse arrijnë deri aty sa të shpërdorojnë edhe Parlamentin për të justifikuar dhe mbuluar veprimet e paligjshme dhe korruptive. Në funksion të këtij mbulimi ishte edhe konsensusi PS-PD në miratimin e ligjit për sportin pak ditë më parë. LSI do të kërkojë ngritjen urgjente të dy komisioneve hetimore, të një komisioni hetimor nga grupi i këshilltarëve të LSI në Bashkinë e Tiranës, si dhe një komisioni hetimor parlamentar”, tha Vasili. Duke e shtrirë edhe më gjerë bashkëpunimin mes dy kryetarëve të partive më të mëdha në vend, Rama-Berisha, sekretari i përgjithshëm i LSI-së u shpreh se këto afera kanë justifikuar dhe bashkëpunimin politik të tyre. “Aferat e ndërtimeve Rama-Berisha janë në themel të aferave të Kushtetutës dhe të aferës së Kodit Zgjedhor. Janë këto afera që shpjegojnë qartë mungesën e plotë të reagimit të Ramës ndaj Gërdecit dhe shkatërrimin konsensual të Kushtetutës nga Rama dhe Berisha”, tha Vasili. Duke u shprehur kundër këtij projekti në dëm të sportit, LSI u shpreh se do të mbrojë interesat e sportistëve dhe sportdashësve. “LSI nuk do të lejojë në asnjë mënyrë as prishjen e klubit ‘Partizani’, as prishjen e klubit ‘Dinamo’, as prishjen e kopshtit botanik, as prishjen e Gardës së Republikës dhe as betonizimin, degradimin dhe denatyrimin e Liqenit Artificial dhe të asnjë hapësire publike, pronë e qytetarëve të Tiranës dhe do të jetë një me qytetarët e Tiranës, për t’u përballur me uzurpatorët që duan ta shkatërrojnë e shesin Tiranën, për të shtuar miliardat e tyre”, tha Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›