E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha te tregu çam: Taksa e tabelës, 1 euro

 

ADI SHKEMBI

Pas hapjes së fushatës në disa qytete të vendit, Kryeministri Berisha rikthehet në takimet me grupet e interesit. Duke përsëritur skemën e fushatës së katër viteve më parë, kreu i qeverisë ka zhvilluar mesditën e djeshme një takim me tregtarët e tregut çam, të cilët si shqetësim kryesor të tyre kishin pikërisht rritjen e taksave nga ana e Bashkisë së Tiranës. “Kemi një ankesë për taksat e bashkisë. Taksat janë shtrenjtuar, janë rritur 200 për qind. Ne kemi besim te qeveria që do të ulen”, i tha njëri prej tregtarëve kryeministrit. Por sipas Berishës, qeveria ka marrë një vendim për të detyruar pushtetin vendor që të mos vendosë taksë më të madhe se 10 për qind e taksave kombëtare. Kreu i ekzekutivit theksoi se autonomia e pushtetit vendor është shumë e nevojshme, por sipas tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk duhet të abuzojë me këtë gjë dhe të 2-4 fishojë taksat. “Atij ia vumë kufirin te thana. Kjo e detyroi qeverinë të ndërhyjë me një ligj të veçantë, duke sanksionuar se nuk ka taksë për ju mbi 10 për qind, taksë e përcaktuar nga qeveria me ligj. Nuk ka gjë më të rëndësishme se të punojmë për forcimin dhe zhvillimin e biznesit të vogël, sepse në çdo vend të zhvilluar të botës 70 për qind e të punësuarve janë nga ky biznes”, u shpreh Kryeministri. Por gjatë takimit me kryeministrin në tregun çam, një tjetër biznesmen ngriti shqetësimin e ndërtimit të infrastrukturës në këtë treg. Sipas tij Rama iu ishte përgjigjur në mënyrë arrogante sapo u kishte marrë taksat për ndërtimin e tregut. “Për këtë rrugë që është bërë, na u premtua një investim nga kryetari i bashkisë dhe na tha se do t’ua bëjë tregun çam me tabela që të punoni gjithë ditën dhe gjithë natën. Në momentin që mori lekët nga ne, na e rrethoi lagjen me blloqe ku nuk hynte dhe nuk dilte asnjë makinë. I shkuam zotit Rama në një takim si përfaqësues të biznesit dhe pasi na dëgjoi, më fal për edukatën, por na tha dilni jashtë mos më çani trapin”, i tha biznesmeni kryeministrit. Nga ana e tij kreu i qeverisë theksoi se arroganca është tipari më i keq i një zyrtari dhe i siguroi biznesmenët se do të kenë mbështetjen e qeverisë së tij për sistemimin e këtij tregu dhe për ndërtimin e rrugës në këtë treg. Kryeministri u ndal dhe në çështjen e taksës së tabelës, për të cilën u shpreh se kjo taksë do të përfshihet në ligj dhe në mënyrë absolute ajo nuk do të jetë mbi 1 euro. Por pas vizitës së Berishës në tregun çam reagoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kandidat i PS-së në kryeqytet, Eduard Shalsi i cili deklaroi se “Sali Berishës tashmë s’i mjafton të gënjejë solo, i duhet të gënjejë në duet, duke manipuluar biznesmenë të vegjël, të cilët sot vuajnë një rritje befasuese që u vjen nga futja e taksës së sheshtë për biznesin e vogël. Me taksat e Bashkisë, bizneset e vegjël pastrojnë e gjelbërojnë Tiranën bashkë me të tjerët, me taksën e re të qeverisë ata paguajnë spotet televizive dhe gënjeshtrat e Sali Berishës. Ne do ta heqim taksën e sheshtë mbi biznesin”.  

Taksat për biznesin e vogël
Sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak të Tiranës, të datës 25 shkurt 2008, shitësit me pakicë që bëjnë deri në 2 milionë lekë të reja xhiro në vit të paguajnë 45 mijë lekë të reja në vit, ndërsa për bizneset që bëjnë 2 milionë deri në 3 milion të paguajnë 68 mijë lekë të reja në vit. Kurse bizneset me aktivitet prodhimi për xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë të reja, paguajnë 23 mijë lekë.

Taksa e tabelës
Duke iu referuar vendimit të vitit 2007 zënia e hapësirës publike për qëllime biznesi/tregtimi në tregjet publike të administruara nga njësitë bashkiake kushton 150 lekë të reja në muaj për çdo metër katror të zënë. Nëse një biznes ka një tabelë ku reklamon mallin me 2 metër katror ai do të paguajë 300 lekë të reja në muaj, në total 3600 lekë të reja në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›