E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antologjia e poezisë shqipe në Bukuresht

 

“Shpirti i fjalëve”, antologjia e pestë poetike shqiptare, doli këto ditë në Bukuresht. Një seri poetike me zëra që vijnë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Gjermania e Amerika. Antologjia paraprihet nga një parathënie e shkrimtarit Visar Zhiti, që ashtu si edhe titujt e poezive, vjen për lexuesin në shqip dhe rumanisht. Poetët që përfaqësojnë Shqipërinë janë poetesha Natasha Lako dhe poeti i ri Petrika Grosi, i cili paraqitet në këtë përmbledhje me një tufë lirikash të ngrohta. Kosovën e përfaqësojnë Ali Demë Jasiqi, Halil Matoshi dhe Begzat Baliu, Maqedoninë Puntorie Ziba, ndërsa diasporën shqiptare Ylli M. Dilo nga Greqia, Agim Gashi nga Gjermania dhe Raimonda Moisiu me poeteshën e re Angela M. Dilo nga Amerika. “Bij të gadishullit më poetik, me fqinjë grekërit, prej të cilëve kanë marrë shumë, ku besoj, se s’kanë dhënë më pak, me sllavët e Jugut, që ndajnë dhe me ta mite dhe legjenda të përbashkëta, me rumunët, që i lidh një bashkëpunim brilant rilindë, shqiptarët, tashmë në dy shtete, në Shqipërinë e lashtë dhe në Kosovë, në Republikën më të re në botë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, me një diasporë më të madhe se veten, duke pasur përballë dhe Italinë, porta e Evropës për ta, duan të jenë dhe janë copëz e kulturës së përbashkët të njerëzimit”, - thotë në parathënien e tij Visar Zhiti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›