Sejdiu, fjalim në Mynih: Meritojmë më shumë njohje
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për herë të parë është lejuar të mbajë një fjalim të gjatë prej 10 minutash në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Mynih, ku ka kërkuar më shumë njohje për pavarësinë e vendit. “Kosova meriton të njihet nga më shumë shtete”, ka deklaruar Sejdiu para mbi 350 politikanëve, ushtarakëve dhe ekspertëve, pjesëmarrës në Konferencë. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, por mbi të ka raportuar për DW përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita. “Presidenti theksoi arritjet e Kosovës, tha se Kosova tashmë ka Kushtetutën e saj, që është një Kushtetutë me parimet e planit të Ahtisarit, që i respekton të gjitha të drejtat e njeriut, e posaçërisht të pakicave, dhe Kosova është në rrugë të mbarë për të plotësuar parakushtet dhe ta shkurtojë rrugën për në Unionin Evropian”, tha Mirdita për “Deutsche Welle”. Fjalimi i Sejdiut dhe kërkesa për njohje u bë dhjetë ditë para përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë. “Ne e kemi merituar njohjen, sepse përkundër dyshimeve të shumë vendeve të tjera, kemi treguar veten që jemi në gjendje të mbajmë shtet”, ka cituar Sejdiu. Pak para presidentit të Kosovës, fjalën solemne e mbajti ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Schwarzenberg, si kryetar i radhës së BE-së. Në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, një vit më parë kishte folur presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, në një fjalim vetëm disa ditë para se Kosova të shpallte pavarësinë. Fjalimi i tij u transmetua drejtpërsëdrejti në sallën e mediave dhe mund të dëgjohej kështu nga qindra gazetarët e akredituar nga e gjithë bota. Por këtë vit me urdhër të kryetarit të ri të konferencës së Mynihut, ambasadorit Wolfgang Ischinger, procedura ndryshoi dhe nuk u lejua që ceremonia të përcillej nga mediat. Sipas DW, konferenca u hap të premten paradite me një panel për çështjen e çarmatimit, ku ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank Valter Shtajnmajer bëri thirrje për një frymë të re bashkëpunimi. “Ejani të punojmë që tani për ta rinovuar konceptin e arkitekturës së sigurisë, të punojmë në projekte konkrete që i shërbejnë ripërtëritjes së mirëbesimit”, tha ai. Konferenca e Mynihut njihet ndryshe dhe si Davosi i çështjeve të sigurisë. Ajo zhvillohet tashmë për herë të 45-të. I pranishëm është edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulëzim Basha. Presidenti i Kosovës ka shprehur keqardhjen për arrestimin vitin e kaluar në Prishtinë të tre agjentëve të Shërbimit Informativ gjerman (BND). “Na vjen keq për këtë incident të pafat dhe ne dëshirojmë të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira me Gjermaninë”, tha Sejdiu, i pyetur nga gazeta gjermane “Süddeutschen Zeitung”. “Ishte gabim prezantimi i këtyre njerëzve në televizion dhe do të kishte qenë më mirë që çështja të zgjidhej në mënyrë diskrete”, pohoi presidenti kosovar.