Gudar Beqiraj,Kryetar i Akademisë së Shkencave
Alma Mile
Akademiku Gudar Beqiraj është Kryetari i ri i Akademisë së Shkencave. Me 21 vota pro, ai u zgjodh në krye të këtij institucioni, nga kolegët e tij akademikë. Procesi zgjedhor u zhvillua dje në ambientet e Akademisë së Shkencave. Beqiraj ishte në garë për këtë post me akademikët Apollon Baçe, Kolec Topalli. Po dje, u zhvilluan edhe zgjedhjet e anëtarëve të tjerë të kryesisë, nënkryetarin, sekretarin shkencor dhe kryetarët e seksioneve. Pas shpalljes së rezultateve, kryetari i ri, shprehu kënaqësinë e tij për procesin zgjedhor transparent. Ai u shpreh se përfaqësonte brezin e ri të akademikëve, të cilët do ta çojnë shkencën shqiptare përpara dhe ç’është më e rëndësishmja do ta bëjnë atë pjesë të vendimmarrjes së qeverisë. Me zgjedhjen e kryesisë së re të Akademisë së Shkencave, u mbyll edhe procesi i gjatë i reformimit të këtij institucioni. Gjatë vitit që shkoi u zhvilluan zgjedhjet për akademikët e rregullt dhe të asociuar. Fushata për kryesinë e re u hap një muaj më parë dhe deri në ditën e zgjedhjeve, kandidatët patën kohë të parashtrojnë platformat e tyre për mbarëvajtjen e Akademisë së Shkencave. Po dje në mbrëmje, në hotel “Tirana” u zhvillua ceremonia e rikonstituimit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave. Gjithashtu u zhvillua shpërndarja e diplomave të akademikëve të rregullt dhe të asociuar. Në këtë ceremoni mori pjesë Kryeministri i Shqipërisë zoti Sali Berisha, si dhe personalitete të politikës dhe sferës akademike.
Sapo jeni zgjedhur Kryetar i Akademisë së Shkencave, ç’do të thotë kjo për ju?
Jam i kënaqur sepse Akademia e Shkencave dha një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë, duke zhvilluar një proces zgjedhor transparent, të hapur, objektiv me një korrektësi të madhe. Të tre konkurrentët ishim pranë njëri-tjetrit. Për mua nuk ishte shumë e rëndësishme në do të fitoja unë, apo miku im Kolec Topalli. Rëndësi kishte procesi.
Çfarë do të ndryshojë në akademi që këtej e tutje?
Ndryshimi ka nisur qysh me komunikimin me mediat. Ishit të gjithë të pranishëm, ndryshe nga herët e tjera. Energjitë që kam do t’i vë në shërbim të këtij misioni. Unë jam në një moshë më të re se drejtuesit e mëparshëm, akademikët, të cilët unë i respektoj shumë. Kanë qenë drejtues që më kanë mësuar dhe më kanë dhënë këshilla dhe do të ndjek gjurmët e tyre. Megjithatë Akademia ka nevojë për njerëz të rinj dhe unë kam mbështetjen e fuqishme të akademikëve të rinj brenda dhe jashtë vendit, të konferencës së Rektorëve me kryetar Jorgo Kaçani dhe Rektorin e Universitetit të Tiranës Dhori Kule, me të cilët do të na shihni shumë shpejt bashkë, në projekte të përbashkëta për ta çuar përpara shkencën shqiptare.
Sa aktive do të jetë Akademia e Shkencave në jetën e vendit?
Nuk mendoj se Akademia është honorifike, pasi si e tillë, ajo do të ishte thjesht një objekt nderimi. Akademia është aktive. Brenda një periudhe shumë të shkurtër, 1-vjeçare që unë isha në pozicionin e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave, bashkë me kryetarin aktual, Teki Biçoku dhe sekretarin Jani Thomai kemi realizuar disa projekte të rëndësishme të mbështetur nga qeveria dhe shpresoj që edhe në të ardhmen, të kemi mbështetjen e saj, pa të cilën nuk mund të bëjmë asgjë. Ndër këto projekte do të përmendja Fjalorin Enciklopedik, që e kemi çuar për botim(që nuk po botohej prej 18 vjetësh), kemi botuar disa libra dhe revista shkencore me nivel evropian. Në bashkëpunim me grupe të ndryshme të Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera, do të çojmë përpara shkencën shqiptare. Dhe ç’është më e rëndësishmja do çojmë shkencën te vendimmarrja.
Cilat do të jenë hapat e parë që do të hidhni me të ardhur në krye të Akademisë?
Koordinimi i fuqishëm i akademikëve dhe bashkëpunëtorëve në institucionet shkencore brenda dhe jashtë vendit është një nga prioritetet themelore. Por ajo çka dua të realizoj si hap të parë, është hapja e një fondi për shkencën, siç e ka dhe Komisioni Evropian. Kjo që të mos kemi gjithmonë vështirësitë që na lindin nga burokracirat e financës së shtetit. Pra një fond që të mbështesë akademikën në nismat e tyre. Por unë jam i mendimit që nuk kemi nevojë për “shkencë për shkencë”, por shkencë për ta çuar drejt programeve të qeverisë, për ta çuar përpara ekonominë shqiptare.
Procesi
Votimi i parë
Apollon Baçe 4 vota
Gudar Beqiraj 16 vota
Kolec Topalli 18 vota
Një votë e pavlefshme
Votimi i dytë
Gudar Beqiraj 21 vota
Kolec Topalli 17 vota
Kryesia e re
Kryetar Gudar Beqiraj
Nënkryetar Myzafer Korkuti
Sekretar Shkencor Salvatore Bushati
Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike Emin Riza
Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknik Dhimitër Haxhimihali
Votimi
Në votimin e djeshëm morën pjesë 39 anëtarë. Ismail Kadare nuk ishte i pranishëm, ndërkohë që Artan Fuga votoi përmes postës nga Parisi, ku ndodhet aktualisht. Votimi u zhvillua në disa faza. Së pari u votua për kryetarin. Kandidati Apollon Baçe mori një numër minimal votash, ndërkohë që dy të tjerët, Topalli dhe Beqiraj, dolën në balotazh. Kështu që u zhvillua edhe një herë votimi emër për emër. Në raundin e dytë të votimit, me 4 vota më shumë u shpall fitues Gudar Beqiraj. Duket se 4 votat e Apollon Baçes shkuan për fituesin Beqiraj. Më tej u votua për anëtarët e tjerë të kryesisë.