E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariçi si Enveri: Luftë tradhëtarëve të brendshëm

Bledar Kuka
Është vërtet origjinal trajneri ynë Oto Baric. Ka qenë me kohë, edhe kur ishte trajner i Kroacisë apo në klubet ku pati shumë sukses. Mediat kroate po merren këto ditë me përgatitjen psikologjike që trajneri Sllaven Biliq po bën në mënyrë që skuadra e tij të jetë 1000 për qind e motivuar në Shkup, ndaj Maqedonisë. "24sata" bën një kronologji të "leksioneve psikologjike" që trajnerë të ndryshëm të përfaqësueses kroate kanë bërë ndër vite. Mirosllav Bllazheviqi, në prag të një ndeshjeje vendimtare për në Euro 2000, ngjiti për muri në dhomat e zhveshjes fotografi në përmasa të mëdha të radhazve të gjata të njerëzve që prisnin për bileta. "A i shikoni këta njerëz? - u tha ai lojtarëve të tij, - ju duhet të luani për ta, që po u bie bretku për të blerë një biletë e për të na parë". Kroacia vetëm barazoi 2-2 dhe u eleminua. "Më i suksesshëm ishte Oto Barici, - shkruan media kroate, - i cili vendosi t'i mbyllte dyert e stërvitjeve të ekipit kombëtar, në prag të ndeshjes vendimtare në Slloveni. Por gazetarët arritën ta shikonin stërvitjen e Herr Otos duke u ngjitur për muri dhe trajneri veteran shpërtheu në zemërim. "Ja disa kroatë që nuk bëjnë tifozllëk për Kroacinë, - bërtiti ai në sy të lojtarëve, - këtu ka tradhëtarë. Ka spiunë sllovenë që na vëzhgojnë gjithcka bëjmë. Por unë e kam më shumë me tradhëtarët e brendshëm". Shqiptarët ndryshuan zakonet e Otos Gazetarët kroatë hiqnin "të zitë e ullirit" për të marrë vesh formacionin e ndeshjes së radhës nga ish-trajneri i tyre, Oto Baric. Në konferencat për shtyp që jepte një ose dy ditë para takimit të përfaqësueses, trajneri i atëhershëm i "kuadratëve të shahut" (sipas bluzave të Kroacisë), ua priste shkurt njerëzve të medias. "Mos prisni t'ju jap formacionin për ndeshjen, - thoshte Barici, në atë kohë 71-vjecar, - nuk e kam zakon. Do ta jap vetëm në ditën e ndeshjes". Ndërkaq, që kur është bërë trajner i Shqipërisë, plakushi e ka ndërruar zakonin. Formacioni i ndeshjes jepet thuajse gjithnjë një ditë para ndeshjes dhe nuk ka ndodhur thuajse kurrë që ai të ndërrojë mendje në 24 orët e fundit. Jo pak ndikues këta shqiptarët …

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›