Bushi: “Sulmuesit janë nën presion”

Alban Bushi, sulmuesi më prodhimtar i Kombëtares shqiptare (14 gola), është i vetëdijshëm për rëndësinë e takimit kundër Bjellorusisë, por edhe presionin që kanë lojtarët kuqezinj në ndeshjen e fundit të shtëpisë për fushatën kualifikuese Euro 2008. Veterani 34-vjecar pohon: "Ka shumë presion mbi sulmuesit për të shënuar dhe kur janë nën presion lojtarët, është e natyrshme që të gabojnë më shumë para portës". Në fakt, asnjë nga sulmuesit, përvec Edmond Kapllanit, nuk ka shënuar gol. Bogdani, Bushi dhe Salihi nuk e kanë gjetur ende rrugën e rrjetës. Alban Bushi të dielën e kaluar shënoi golin e parë në fitoren 2-0 të skuadrës së tij në kampionatin grek, Apollon Kallamarjasë në transfertën kundër Verias. Bushi ka pasur probleme me gjurin e djathtë pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen me Ergotelis dy javë më parë, dhe e pranon edhe vetë se këmbët e tij nuk mund të mbajnë 90 minuta. Bushi ende nuk është zhbllokuar në ndeshjet ku është aktivizuar. Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga ndeshja me Bjellorusinë, sulmuesi e ka të qartë edhe objektivin e skuadrës: "Për ne, ajo me Bjellorusinë është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Na duhet patjetër fitorja që të arrijmë vendin e katërt në grup".
Mbrojtësi i Vorskla Poltavës në kampionatin ukrainas, Armend Dallku, i cili në ndeshjen e fundit kundër Bullgarisë (1-1) luajti në mesfushë (roli i tij edhe në Ukrainë) është i bindur se do të fitojmë kundër Bjellorusisë. "Jemi optimistë për rezultat pozitiv dhe nuk e diskutojmë fitoren me kundërshtarët tanë".