E Diel, 1 Nëntor 2026

Anulohen vizat, studentët nuk janë lejuar të zbresin nga trageti



Bllokohen në Trieste 160 studentë shqiptarë

Kur ata kanë mbërritur dhe kanë dorëzuar dokumentet për të zbritur, punonjësit e doganës nuk i kanë lejuar, duke i cilësuar vizat e paraqitura si jo të rregullta. Ambasada hungareze kishte anuluar vizat një ditë pas nisjes së tyre

Rreth 160 studentë shqiptarë kanë dy ditë të bllokuar në portin e Triestes në Itali, pasi ambasada hungareze ka pezulluar vizat e dhëna një ditë pas nisjes së tyre. Por, kjo për fat të keq të studentëve ka ndodhur në mes të udhëtimit dhe nuk kanë pasur asnjë dijeni mbi çfarë ka ndodhur. Ndaj dhe prej dy ditësh studentët shqiptarë ndodhen në traget dhe nuk mund të lëvizin. Grupi prej 160 studentësh kanë udhëtuar nga Durrësi drejt Italisë dhe ndodhen në tragetin “Venezia”. Ata do të shkonin në një ekskursion në Slloveni, duke kaluar nga Italia, Spanja dhe ndaj aplikuan për t’u pajisur me viza në ambasadën hungareze në Tiranë. Kërkesa e tyre është pranuar nga punonjësit e ambasadës dhe ata kanë prerë biletat e tragetit dhe janë nisur për në portin e Triestes. Por, kur ata kanë mbërritur dhe kanë dorëzuar dokumentet për të zbritur, punonjësit e doganës nuk i kanë lejuar duke i cilësuar vizat e paraqitura si jo të rregullta. Shkak për këtë duket se ka qenë vendimi i përfaqësisë hungareze për të anuluar vizat e dhëna, pikërisht gjatë kohës që trageti ishte në lundrim drejt Triestes. Vizat ishin dhënë për një udhëtim turistik 7-ditor. Me gjithë këmbënguljen e studentëve dhe personave të tjerë që i shoqëronin, për të zbritur në tokë dhe për të vazhduar udhëtimin, ato nuk janë marrë parasysh nga autoritetet italiane. Edhe pse ata u përpoqën që t’i shpjegonin se gjithçka ishte bërë sipas procedurave, përgjigjja e punonjësve të portit ishte se vizat ishin të pavlefshme, pasi ato ishin pezulluar. Për grupin e studentëve, kjo ka qenë absurde, pasi ishte pikërisht ambasada hungareze që kishte pranuar kërkesën e tyre dhe pse një veprim i tillë ishte kryer kur ata ishin në mes të rrugës. Sipas agjencisë AFP, studentët kishin marrë viza “Shengen” në Shqipëri mbi bazën e rezervimeve hoteliere, por këto rezervime janë anuluar më pas. Meqenëse viza “Shengen” duhet të mbështetet mbi një garanci, domethënë në këtë rast, rezervimin, mungesa e këtyre dokumenteve përbën problem. Kështu, në pritje të një vendimi nga autoritetet italiane, grupi prej 160 studentësh vazhdon të mbahet peng në traget pa zbritur në portin e Triestes. Mediat italiane e kanë paraqitur si një burgosje mbajtjen e studentëve shqiptarë të bllokuar në tre autobusët me të cilët ata do të udhëtonin drejt Sllovenisë. Nëse nuk do ketë një zgjidhje nga pala shqiptare dhe ajo italiane, studentët do të kthehen sot pasdite drejt Durrësit, ndërkohë që deri në këtë orë, atyre do t’u duhet të bllokohen në autobusët në brendësi të tragetit. Autoritetet shqiptare janë duke bërë përpjekje që përfaqësia hungareze në Shqipëri të anulojë bllokimin e vizave të dhëna, për të lejuar vazhdimin e ekskursionit për studentët shqiptarë.

Reagimi

Ministria e Punëve të Jashtme është njoftuar dy net më parë nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano se një grup studentësh që do merrnin pjesë në një udhëtim shtatëditor në Slloveni dhe Itali janë bllokuar në portin e Triestes, sepse vizat “Shengen” të marra në Ambasadën e Hungarisë në Tiranë janë anuluar. Në ndjekje të këtij problemi, sipas burimeve zyrtare, është angazhuar menjëherë Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve Juridike, Ndërkombëtare dhe Konsullore, Konsullata e Përgjithshme në Milano, si dhe ambasada jonë në Romë. Një nga konsujt shqiptarë në Milano është dërguar në Trieste për të ndjekur nga afër situatën. Sipas informacioneve të marra në vijimësi nga autoritetet e portit të Triestes, nga Ambasada e Hungarisë në Tiranë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme në Romë rezulton se udhëtimi i studentëve të disa universiteteve private në Tiranë është ndërmjetësuar dhe organizuar nga një agjenci private e udhëtimit. Vizat janë marrë në ambasadën e Hungarisë në Tiranë, ku agjencia ka paraqitur programin e udhëtimit dhe rezervimet e hoteleve në Slloveni dhe Itali. Ambasada e Hungarisë, pasi ka dhënë vizat, ka marrë njoftim nga hotelet se janë kontaktuar nga agjencia, por rezervimi ose nuk është bërë efektiv (sepse nuk është kryer pagesa), ose më vonë është anuluar. Për pasojë, Ambasada e Hungarisë ka anuluar vizat dhe ka njoftuar kufirin që të mos lejojë hyrjen në territorin italian. Pasagjerët kanë marrë njoftimin e anulimit të vizave vetëm në mbërritje. Autoritetet e kufirit nuk i kanë lejuar të zbresin, në pritje për t’i kthyer në Shqipëri me të njëjtin traget. Sipas informacionit që MPJ ka marrë nga pala italiane, rezulton se trajtimi i grupit ka qenë normal. Studentët janë sistemuar në dhoma, u janë dhënë mbulesa të pastra dhe ushqim i rregullt. Autoritetet e portit kanë intervistuar pasagjerët dhe, sipas informacionit që ambasada jonë në Romë ka marrë nga Ministria e Jashtme, disa prej tyre kanë deklaruar destinacione të tjera (Spanjë, Francë, Belgjikë), jashtë itinerarit të deklaruar. Ky fakt ka rënduar situatën dhe ka bërë që të merret vendimi përfundimtar i refuzimit të hyrjes në territorin italian. Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar Konsullatën tonë të Përgjithshme në Milano të ndërmjetësojë me palën italiane, për të lehtësuar sa më shumë gjendjen e grupit të studentëve. Nga i dërguari i MPJ-së në Trieste, pala shqiptare njoftohet se komunikimi me autoritetet e portit është normal dhe trajtimi i pasagjerëve vijon i pandryshuar. Pavarësisht përpjekjeve të palës shqiptare për të përshpejtuar nisjen për në Shqipëri, trageti largohet sot nga Porti i Triestes, ora 13:00. “Situata po ndiqet në vijimësi nëpërmjet ambasadës sonë në Romë, konsullatës së përgjithshme në Milano dhe të dërguarit tonë në Trieste”, - përfundon reagimi i Ministrisë së Jashtme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›