Policia dhe prokuroria, në pritje të letërporosive të mundshme
Heroina diplomatike
Pas skandalit diplomatik, ku një zyrtar i ambasadës tonë në Maqedoni u arrestua me 65 kg heroinë në Athinë, autoritetet e drejtësisë dhe policisë në Shqipëri ende nuk kanë akoma një informacion të saktë për ngjarjen, përveç sa është shkruar në media.
Burime nga Policia e Shtetit deklaruan se nga Turqia nuk kanë dërguar asnjë informacion që të bëjë fjalë për arrestimin e Agim Haxhiut në Turqi.
Po sipas të njëjtave burime, mësohet se në të tilla raste veprohet duke dërguar informacion në rrugë diplomatike, ku në fillim informohet Ministria e Jashtme e cila është përgjegjëse për imunitetin e diplomatëve jashtë Shqipërisë. Rasti i kapjes me drogë të diplomatit Shqiptar në Turqi, nuk është i pari kur në mjetet diplomatike të Shqipërisë kapet drogë.
Një vit më parë, në Itali një shofer i ambasadës shqiptare atje u kap me një kg kokainë, në makinë. I ndaluari kishte lidhje të forta të tij në Shqipëri, dhe një i afërm i një personi të përfshirë në rastin e Gërdecit.
Policia shqiptare në lidhje me ngjarjen e të hënës së kësaj jave është njoftuar vetëm nëpërmjet njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtne Shqiptare, që vendosi t'i heqë imunitetin diplomatik Agim Haxhiut, pas publikimit të lajmit se ai është arrestuar nga policia turke me 46 kg heroinë.
Nëse Policisë Shqiptare dhe institucionëve të tjera të drejtësisë do t'i kërkohet informacion nga pala turke nëpërmjet letër - porosive, atëherë autoritetet shqiptare do të jenë të gatshme për të bashkëpunuar për të zbardhur skandalin në të cilën u përfshi sekretari i dytë i Ambasadës Shqiptare në Maqedoni.
Deri dje, asnjë institucion përgjegjës në vendin tone nuk ka marrë asnjë kërkesë për të kryer veprime hetimorë për diplomatin shqiptar. Agim Haxhiu, u arrestua nga policia turke në fillim të muajit maj, pasi në makinën me targa diplomatike në të cilën ai udhëtonte u gjetën 65 kg heroinë.
Ministria e Punëve të jashtme nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar për të pohuar apo mohuar arrestimin e diplomatit, por ka mjaftuar vetëm me një deklaratë zyrtare ku thuhet që Agim Haxhiut i hiqet imuniteti diplomatik dhe pa dhënë informacione të tjera.
65 kg heroinë u bllokuan në Turqi në makinën diplomatike të drejtuar nga sekretari i dytë i Ambasadës Shqiptare në Maqedoni.
650 mijë euro mendohet se është përafërsisht vlera e heroinës së bllokuar nga policia turke në automjetin e ambasadës shqiptare të akredituar në Maqedoni e cila ishte në përdorim të Agim Haxhiut.