E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari i ambasadës shqiptare kapet me 65 kg heroinë

08/05/2009  Me makinën me targa diplomatike u kap duke transportuar drogën

Ministria e Jashtme: Haxhia që nga data 1 deri në 6 maj është liruar nga detyra

TURQI- Shërbimet sekrete të shtetit turk arrestuan në datën 2 prill sekretarin e dytë të ambasadës shqiptare në Maqedoni që transportonte 65 kilogramë drogë të llojit heroinë. Në këtë histori linjash të ndërthurura trafiqesh ku bosët gjithmonë janë shtresa e padukshme dhe kapen vetëm korrierët, ishte ngatërruar edhe një punonjës i ambasadës shqiptare në Maqedoni i quajtur A. Haxhia, teksa operacioni i mbajtur i fshehtë edhe për policinë turke u finalizua pas dy muajsh hetime. Për aksionin nuk ishin njoftuar as autoritetet e policisë shqiptare pasi droga nuk kishte kaluar fare nga vendi ynë. I arrestuari po merret në pyetje nëse ishte korrier apo porositës i drogës. Sakaq, Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se z. A. Haxhia, ish-punonjës pranë ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, me motivin për braktisje të pajustifikueshme të detyrës që nga data 1 maj deri me datë 6 maj 2009, është liruar nga detyra me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme. Ky vendim si dhe heqja e çdo privilegj dhe imunitet diplomatik është bërë e ditur edhe zyrtarisht edhe palës maqedonase, si vend ku ishte i akredituar z. Haxhia. Ambasada shqiptare mohon kështu kategorikisht mundësinë e implikimit të punonjësve të saj në këtë çështje. Ai kishte kaluar nga Maqedonia përmes Bullgarisë dhe prej andej shkoi në Turqi në rrugë tokësore. Burimet që konfirmojnë lajmin, nuk japin shumë detaje se ku është zbuluar sasia e madhe e drogës. Haxhia udhëtonte me makinën e ambasadës me targa diplomatike. Arrestimi i tij është bërë që në datën 2 maj, por është mësuar nga burime të larta zyrtare vetëm ditën e mërkurë. Dyshohet se autoritetet turke duhet të kishin pasur më parë informacion mbi përfshirjen e tij në transportin e lëndëve narkotike dhe e kanë vënë në vëzhgim. Haxhia nuk bën pjesë në listën e diplomatëve të karrierës, pasi ai është përfshirë në radhët e shërbimit diplomatik rreth tre vite më parë, ndërsa punonte si gazetar në Agjencinë Shtetërore të Lajmeve, ATSH. Ky rast ka edhe precedentë të mëparshëm, pasi janë bllokuar sasi të ndryshme droge të transportuara me makina me targa diplomatike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›