E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Xhindit, rikthehet pista e pronave

Dje hetimi i dosjes i është "dorëzuar" për hetim prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe policisë lokale të Fierit


Një javë pas vrasjes së rëndë të ndodhur në Roskovec, hetuesit i janë rikthyer pronave, duke kërkuar dokumente mbi pronat e deputetit

TIRANE- Një javë pas vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi, grupi hetimor që po punon për zbulimin e motiveve dhe autorit të saj, i është kthyer hetimit të ngjarjes në pistën e parë, atë të vrasjes për motive pronësie.


Ashtu si një ditë më parë edhe gjatë ditës së djeshme, grupi hetimor i çështjes, ka kryer një analizë gjatë paradites së djeshme, për të ringritur disa nga pistat kryesore të hetimit.


Pista kryesore ku hetuesit janë kthyer sërish mësohet se është ajo e krimit që lidhet me motivet e pronësisë. Një fakt i tillë është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të Policisë së Shtetit që po merren me drejtimin e grupit hetimor që po punon me zbardhjen e krimit ndaj deputetit Xhindi ndodhur javën e kaluar.


Burime të Policisë së Shtetit, pohuan se për këtë shkak ata kanë rinisur verifikimin dhe krahasimin e të gjitha konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të pronësisë mes deputetit socialist Fatmir Xhindi dhe palëve të ndryshme me të cilët ai mund të ketë pasur mosmarrëveshje dhe probleme pronësie.


Veç kësaj, drejtuesit e hetimieve të "Xhindit", kanë "autorizuar" vartësit e tyre të "bastisin", zyrën e hipotekës së qarkut të Fierit. Një veprim i tillë është kërkuar që të kryhet nga hetuesit me qëllim zbardhjen e mosmarrëveshjeve apo përplasjeve për motive pronësie mes deputetit Xhindi, pjesëtarëve dhe të afërmëve të familjes së tij me persona të tjerë.



Ndërkaq, që prej ditës së djeshme, pjesa më e madhe e hetuesve nga Tirana që janë marrë me hetimin e vrasjes së deputetit Xhindi, janë larguar nga Fieri. Atje janë lënë disa prej specialistëve të Policisë së Shtetit, ndërsa të tjerët janë larguar për t'iu rikthyer punës së tyre në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.


Bashkë me ta, në hetimin e ngjarjes, do të bashkohen edhe pjesa më e madhe e hetuesve të drejtorisë së Policisë së qarkut të Fierit, kryesisht ata të zyrës së hetimit të krimeve kundër personit, si dhe specialistë të hetimit të sektorëve të tjerë që mund të kërkohen për nga grupi kryesor i hetimit.


Veç pistës kryesore që po heton policia, ajo vrasjes për motive pronësie, tashmë kanë rinisur veprimet për disa nga pistat e tjera të hedhura në fillim nga policia si shkak i mundshëm i ngjarjes.


Deri më tani, efektivët e policisë së Fierit, të drejtuar nga krerë të Policisë dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë shoqëruar, pyetur e marrë deklarime më tepër se 150 personave, në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi probleme dhe rrethana që mund të zbulojnë krimin.


Dëshmitë janë administruar dhe më pas kanë nisur të verifikohen nga grupe të posaçme hetuesish dhe specialistësh të veçuar nga hetuesit që merrnin informacionin apo që pyesnin personat.


Pavarësisht hetimeve intensive, policia dhe prokuroria ende nuk kanë mundur të vënë pikat mbi "i" për ngjarjen e javës së kaluar, ku mbeti i vrarë deputeti i opozitës Fatmir Xhindi. Deputeti 49- vjeçar, Xhindi, mbeti i vrarë në një pritë pranë banesës së tij, ndërsa ai sapo kishte zbritur për të parkuar mjetin e tij.


Ai u qëllua nga një armë zjarri me 6 plumba, ndërsa në vendin e ngjarjes, policia gjeti 15 gëzhoja dhe disa predha të qitura nga një armë automatike "Kallashnikov". Vetëm pak minuta më vonë, deputeti ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Fierit, ku po dërgohej nga të afërmit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›