Anulohet greva e mjekesise, dekanati do te plotesoje kerkesat

Studentet: Duam tempull te dijeve mjekesore dhe jo nje stacion transit, ku prodhohen mjeke te papergjegjshem
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë anuluar vendimin për futjen në grevën e urisë, duke iu rikthyer mësimit. Pas takimit të zhvilluar me rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, Këshillin e Profesorëve, dekani i fakultetit, Alfred Priftanji, ka deklaruar plotësimin e pjesshëm të kërkesave të studentëve, në të njëjtën kohë mbajtjen e postit. Edhe pas kësaj, lëvizja studentore shprehet se do të mbajë në monitorim situatën dhe nëse nuk plotësohen kërkesat kryesore për cilësinë e mësimit dhe ambienteve në shkolla, ata do të rinisin protestat.
Kërkesat
Në mbledhjen e organizuar dy ditë më parë në rektoratin e Universitetit të Tiranës i është dhënë zgjidhje vetëm një pjese të kërkesave të studentëve. Kështu, ka rezultuar se nga 67 lëndë mësimore të Fakultetit të Mjekësisë, vetëm 41 prej tyre kanë tekste. Lidhur me gjendjen e këtyre të kurrikulave është deklaruar se deri në fund të muajit prill, të gjitha katedrat janë të detyruara të kenë gati tekstet e përfunduara. Edhe ato tekste të cilat janë botuar para vitit 2000, duhet të hiqen nga kurrikulat mësimore.
Një pjesë e teksteve mund të marren edhe nga shtetet fqinje si Maqedonia, fakulteti përkatës i të cilit së fundmi ka përgatitur përkthime mjaft cilësore librash mjekësorë. Për të përmirësuar cilësinë e librave është aprovuar një buxhet prej 500 000 lekësh nga Universiteti i Tiranës, të cilat do të shkojnë për përkthimet e librave akademikë, ku një përqindje e lartë do t’i shkojnë Universitetit të Tiranës. Për sa i përket orëve të mësimit, vendimi i marrë thotë se do të shkarkohet menjëherë çdo pedagog, i cili denoncohet për mosrespektimin të kodit të punës duke mos kryer detyrën e tij për të cilën paguhet. Ndërkohë që do t’u vihet prioritet pedagogëve të cilët kanë përfunduar studimet në vende të tjera evropiane si dhe kanë botuar shkrime shkencore në revista ndërkombëtare, duke u emëruar pa konkurs për vendet vakante për pedagogë të rinj në Fakultetin e Mjekësisë. Gjithashtu, është vendosur që studentët e Mjekësisë të mbrojnë diplomën me temë si dhe pritet të rriten kuotat e specializimeve për të përmbushur hendekun trevjeçar të moskryerjes së tyre. Gjithashtu, mësohet se vetëm dy ditë më parë është shpallur tenderi për dixhitalizimin e sekretarisë së Universitetit të Tiranës, nga ku prioritet i shpejtë do t’i kushtohet Fakultetit të Mjekësisë.
Studentët
Pas marrjes së vendimit nga Rektorati dhe Këshilli i Profesorëve, përfaqësia e lëvizjes studentore vlerësoi angazhimin e strukturave. “Me lëvizjen tonë arritëm të shkundnim një sistem të tërë hierarkik i cili është përgjegjës për të gjithë këtë katrahurë. Thyerja e kësaj apatie dhe indiference përbën për ne pa dyshim një fitore të madhe”, - shprehen ata. Lëvizja studentore kërkoi të tërheqë profesorëve, drejtuesve dhe të gjithë institucioneve të arsimit të lartë për të për gjendjen e rëndë në Fakultetin e Mjekësisë si dhe pa dyshim bashkëpunimin e palëve për t’i risjellë në identitet këtë shkollë mendimi shkencor.