Debora zbardh vendin, probleme ne disa akse rrugore

Ministria e Transporteve, thirrje drejtuesve: Perdorni zinxhiret ne qarkullimin drejt zonave ku ka reshje te dendura bore. Bie bora e pare ne kryeqytet
Dëbora zbardh pjesën më të madhe të vendit, ndërkohë që nisin problemet e para në disa akse rrugore. Menjëherë është nisur me marrjen e masave për të parandaluar bllokimin e rrugëve, duke nisur bashkëpunimi mes institucioneve, ndërkohë që ripërsëritet apeli ndaj drejtuesve të automjeteve për të përdorur zinxhirët në zonat ku ka reshje të dendura bore. Trashësia e borës në qarkun e Kukësit ka shkuar deri në 40 centimetra në zonat e thella, ndërsa në Korçë reshjet e dëborës arrijnë në 10 cm, kurse në zonat e larta dëbora ka arritur ne 30 cm. Probleme për qarkullimin e mjeteve ka ne segmentin rrugor Tiranë-Elbasan, ku policia rrugore nuk lejon asnjë automjet të lëvizë pa zinxhirë. Dëbora e parë për këtë vit ka rënë edhe në kryeqytet, por që ka zgjatur vetëm disa minuta dhe nuk ka pasur mundësi të zbardhë qytetin. Gjatë paradites, në Tiranë nisën fjollat e para të borës për stinën e dimrit ndonëse jo me intensitet të madh. Megjithatë, parashikimet e motit nuk flasin për një përmirësim por ftohje më të madhe të motit. Madje, parashikohet nga sinoptikanët që dita e premte të jetë piku i të ftohtit, ku temperaturat pritet të shënojnë një rënie të madhe, shtim të reshjeve të borës në zonat malore dhe erëra të forta dhe të ftohta në zonat fushore.
Situata në disa akse rrugore
Prej dy ditësh, i gjithë vendi është përfshirë nga ngricat të shoqëruara me reshje dëbore, nga jugu në veri, duke shkaktuar dhe probleme në disa rrugë kombëtare. Si rezultat i reshjeve të borës që kanë rënë dhe vazhdojnë të bien në pjesën më të madhe të vendit, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njoftoi dje se situata në akset rrugore paraqitet me probleme, por sipas tyre deri në mesditë, shumica e segmenteve kanë qenë të kalueshme. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Rrugore janë ne gatishmëri të plotë dhe po punojnë në terren me mjete borëpastruese, fadroma si dhe duke përdorur kripë dhe skorie për normalizimin e gjendjes. Ministria njoftoi se ka patur reshje dëbore në Qafë-Mali, Fushë-Arrëz e Pukë. Është punuar gjatë gjithë natës dhe do vazhdojë puna për të patur një trafik normal. Qarkullimi i mjeteve kryhet pa probleme. Ndërsa në aksin rrugor Qafë-Mali – Kukës, në Qafë-Shllak, lëvizja e mjeteve kryhet pa probleme. Është punuar gjatë gjithë kohës me mjete borëpastruese dhe kripë e skorie. Në aksin rrugor Kukës – Shishtavec në 10 km e fundit, nga Topojani – Shishtavec ka prezencë akulli, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Sipas burimeve zyrtare, po punohet vazhdimisht për mbajtjen nën kontroll të situatës. Ndërkohë që nuk paraqitet asnjë problem në autostradën që lidh Shqipërinë me Kosovë, rruga është e pastër dhe pa probleme në kalim, ndërsa drejtuesve të automjeteve u bëhet apel që të kenë zinxhirë me vete nëse do ndërmarrin rrugë në zonat e veriut. Situata paraqitet nën kontroll edhe në zonën juglindore të vendit. Në të gjitha akset rrugore të Rajonit të Korçës janë marrë masat për të siguruar një qarkullim të mjeteve pa probleme. Në zona të veçanta vazhdon hedhja e kripës për të parandaluar bllokimin e qarkullimit apo krijimin e akullit nëpër rrugë. Ndërsa, po sipas të njëjtave burime zyrtare, në aksin nacional Bulqizë – Peshkopi, segmenti Qafë-Dushk – Qafë-Bualli – Ura e Cerenecit, qarkullimi kryhet me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit. Segmenti rrugor Qafë-Dragalica – Steblevë në aksin Ura e Cerenecit – Stebleve, është bllokuar për shkak të dëborës. Aksi rrugor Peshkopi – Ura e Skurajve qarkullimi kryhet me zinxhirë nga prezenca e akullit në rrugë. Në aksin rrugor Librazhd – Steblevë qarkullimi kryhet me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit. Në aksin Kthesë Labinot Fushë – Monument Bize qarkullimi kryhet me zinxhirë deri në Qafë-Renc, ndërsa pjesa tjetër është e bllokuar për shkak të reshjeve të shumta të dëborës. Po punohet për normalizimin e situatës. Problematike paraqitet situata edhe në zonën e jugut të vendit. Reshjet e borës të nisura gjatë orëve të paradites dhe që kanë vazhduar deri në orët e vona të ditës së djeshme, kanë krijuar vështirësi qarkullimi në Qafën e Llogorasë në Vlorë. Mësohet se disa automjete e kanë pasur gati të pamundur të kalojnë dje në këtë vend, duke u bllokuar për disa orë mes borës. Në qarkun e Elbasanit probleme nga reshjet e borës vazhdojnë të shfaqin fshatrat e thella, ndërsa akset në Qafë-Thanë dhe Qafë-Kërrabë kalohen pa problem.
Parashikimi
Temperaturat në Tiranë kanë shënuar dje 0-7 gradë Celsius, ndërsa pritet që sot dhe nesër të bien me 2 gradë, kurse të premten i ftohti të shënojë pikun me -0 dhe 2-3 gradë Celsius, ndërsa parashikohet sërish borë. Pritet që në Korçë e Pogradec temperaturat e ulëta -8 gradë Celsius të shoqërohen me reshje te shumta bore. Borë dhe temperatura -9, -10 do të mbërthejnë dhe zonat veriore, Kukës, Tropojë, Pukë. Në zonat fushore do të mungojë bora, por reshje shiu me erëra të forta dhe temperature shumë të ulëta do të karakterizojnë këto ditë jave shumë të ftohta.