Berluskoni: “Urrejtja ndikoi mendje të sëmura”
Kryeministri italian Silvio Berluskoni ka ndërhyrë në një manifestim solidariteti me të në Verona nëpërmjet një telefonate, duke siguruar mbështetësit e tij se “do të vazhdoj përpara për të mirën e vendit”. “Besoj se për të gjithë është e qartë se nëse një presidenti këshilli do t’i thuhet se është një korruptues të miturish, korruptues dëshmitarësh, një njeri që vret lirinë e shtypit, një mafioz, madje një tiran, është e qartë se ndonjë mendje e sëmurë dhe për fat të keq kemi shumë në qarkullim, mund të bindet se ne jemi tiranë dhe duke na sulmuar do të bëhet hero kombëtar dhe do t’i bëjë mirë atdheut të vet, duke marrë kështu një meritë të jashtëzakonshme”, u shpreh gjatë telefonatës Berluskoni. Ai ka telefonuar nënsekretarin e tij, Aldo Brancher nga rezidenca e tij në Arkore, për t’i thënë fjalën që kishte përgatitur mijëra njerëzve që ishin mbledhur për të.